Ëndrra për një jetë më të mirë, Rudina Sharkën nga Shqipëria e solli në Rheinfelden të Gjermanisë. Lejeqëndrimi i saj është i lidhur me një vend pune – për shkak të masave të bllokimit, vajza që punonte në industrinë e hotelierisë, u përball me frikën e së ardhmes. Ajo tani ka gjetur një punë të re, të sigurt në depo të pakove Tamara dhe Maik Gregl.
Depos së pakove i lejohet të lëshojë dërgesat për klientët gjatë masave të bllokimit. Rudina është pjesë e stafit që nga dhjetori, duke marrë dorëzimin, renditjen dhe arkivimin e dërgesave dhe duke njoftuar klientët për porositë e tyre. Shqiptarja 22-vjeçare është shumë e lumtur për punën. „Këtu ndjehem shumë rehat“, thotë Rudina, e cila pas saj kishte një odise që nga ardhja e saj në Gjermani, në prill të vitit 2019. Punëdhënësit e saj Tamara dhe Maik Gregl, janë të kënaqur me punonjësen e re. „Ajo mëson shpejt. Është shumë punëtore dhe e përzemërt. Gjithçka është e përsosur“, thotë Tamara Gregl.
Rudina më parë kishte punuar në gastronomi. Fillimisht për tre muaj si kamariere në Bavari. „Atje isha vetëm. Motrat e mia jetojnë këtu në Baden ëürttenberg, prandaj erdha këtu nga Bavaria“, thotë Rudina për mediat gjermane, transmeton Shtegu.com. Dy motrat e saj më të mëdha jetojnë në Lörrach. Rudina gjeti një punë në një restorant kinez në Erzingen para se të punësohej në një restorant në Herten, ku ndjehej rehat. Kur për shkak të bllokimit të dytë restorantet u mbyllën, Rudina nuk donte të rrijë duarkryq dhe po kërkonte një punë të re. Miku i saj, i cili punon për një shërbim furnizimi, i kishte treguar se depoja e pakove po kërkonte personel.
„Në Herten gjithçka ishte mirë për sa kohë që restoranti ishte i hapur, por kur sërish gjithçka u mbyll, nuk dihej më se kur të hapeshin përsëri. Unë kam nevojë për një punë të vërtetë, të sigurt“, thotë Rudina. Gregl deklaron se leja e saj e punës është e lidhur me një punë. Kur u bë e qartë se Rudina ishte e mirëpritur në depon e pakove, ajo dha dorëheqje nga vendi punës në Herten. Tamara Gregl u kujdes për miratimin e lejes përkatëse në entin e të huajve.
Rudina vjen nga Elbasani në Shqipërinë e Mesme, qyteti i katërt më i madh në vend me gati 79 000 banorë. Motrat e saj shkuan në Gjermani, prindërit e saj u transferuan në Francë me vëllain e saj, kështu që Rudina kishte jetuar vetëm në Elbasan, që kur ishte 17 vjeç. „Kam punuar që kur isha 17 vjeç. Kam bërë një larmi punësh në mënyrë që të mund të jetoj“, shpjegon Rudina. „Kur isha e vogël, gjithmonë ëndërroja një jetë më të mirë dhe vendosa që Gjermania ishte vendi im i ëndrrave“.
Në moshën 17-vjeçare ajo filloi të mësonte gjermanisht. Ndoqi një kurs dhe studioi gjermanishten për gjashtë muaj. Një fatkeqësi i dha fund studimeve të saj: babai i saj u aksidentua dhe nuk ishte më në gjendje ta mbështeste. Të ardhurat e saj nuk ishin të mjaftueshme.

