LAJME

Qaniu, një zë emigranti: pse e lashë Maqedoninë dhe pse nuk më bëhet të kthehem sërish atje…

207 Lexime

Intervistoi: Mensur Krasniqi

 

 

Qani Tifeki është ndër ata qindra e mijra shqiptarë të Maqedonisë që e kanë lënë vendlindjen për ta ndërtuar jetën në emigracion, në Perëndim. Nuk e ka bërë me qejf këtë gjë, pasi nuk është e lehtë që të braktisësh tokën tënde, identitetin tënd, për t`u realizuar në një ambjent krejtësisht të huaj. Dhe ajo që i dhemb akoma është se në vendin e tij ende po shihet një perspektivë e mirë, motivuese, që do e frenonte ikjen. Gishtin e përgjegjësisë e vë tek përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, që deri më tani nuk kanë arritur të bëjnë asgjë për bashkëatdhetarët e tyre që mos marrin udhët e botës. Kjo u pa dhe në seancën e fundit të Kuvendit maqedonas, kur teksa debatohej mbi ikjet, emigracionin, deputetët shqiptare e qepën gojën,  pikërisht ata që duhet të flisnin më shumë….    
Qe sa kohë jeni shpërngulur në Perëndim?

Në Perëndim kam dalur që nga mosha më e re, fillimisht në Gjermani, e më pas në Zvicër, qe gati 20 vite janë bërë.

Mund të na thoni rreth motiveve dhe arsyeve të braktisjes së Maqedonisë, me siguri nuk ka qenë e lehtë për ju ta merrni një vendim të tillë?

Pyetje shumë e lehtë, por përgjigjja është pak më emotive dhe e rëndë për tu përgjigjur. Si shumica e gjithë shqiptarëve në trojet e Ballkanit, edhe unë nuk pashë ndonjë perspektivë të ndritshme në këtë vend, duke qenë dëshmitar i jetës së rëndë sociale, papunësisë së madhe, korrupsionit të skajshëm e shumë e shumë dukurive negative që mbisundonin në vend. Normalisht se një vendim për tu arratisur nga vendlindja nuk ka qenë aspak i lehtë, por i detyruar nga arsyet e lartpërmendura, njeriu vepron guximshëm dhe merr një vendim sa të rrezikshëm, po aq edhe të padefinuar, duke u larguar në një drejtim krejtësisht të panjohur dhe me përplot barriera të ndryshme.

 

qani-tifeku-me-familje

 

A jeni të njoftuar rreth situatës politike në Maqedoni?

Me vëmendje të madhe i përcjelli rrethanat politike në vend, pasi vetëm aty guri peshon rëndë.

Si e komentoni heshtjen e deputetëve shqiptarë në Kuvend,  ndërkohë që deputetët maqedonas kacafyteshin për t`i mbrojur interesat e mërgimtarëve maqedonas?

Jam tepër i dëshpëruar nga pasiviteti i deputetëve shqiptarë, apo më mirë të shprehem, nga paaftësia e tyre diplomatike për të ushtruar më tepër presion në qeverinë maqedonase në shfrytëzimin e të drejtave legjitime të popullit shqiptar, si popull shtetformues në këtë shtet.

Keni besim në përfaqësuesit politik të BDI-së për mënyrën se si po përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni?

Për fat të keq, aspak. Ata duhet rrënjësisht të ndryshojnë ideologjinë e realizimit të të drejtave të shqiptarëve në shtet, duke mos rënë në grackë të një garniture ish-komuniste që është në pushtet, por duke promovuar vlerat e mirëfillta të demokracisë europiane, me të cilën do të fitonin simpatinë e shteteve të Bashkimit Europian e më gjerë.

Atëherë cila është zgjidhja, çfarë alternative tjetër kanë shqiptarët meqë tani jemi edhe në prag të zgjedhjeve parlamentare? Shpresoni se lëvizjet e reja mund të ofrojnë një jetë dhe ardhmëri më të mirë për shqiptarët?

E përmenda edhe më lart, shqiptarët duhet të distancohen nga grackat e kësaj garniture dhe të orientohen në drejtim të Perëndimit. Zgjidhja e vetme mund të realizohet pas skadimit të mandateve të edhe dy-tri gjeneratave që do të vijnë në pushtet, me kuadro të reja cilësore, të arsimuara e të edukuara në frymën e sistemit të vlerave europiane.

Si qëndrojnë marrëdhëniet e mërgimtarëve shqiptarë të Zvicrës me politikanët shqiptarë në Maqedoni? Ka ndodhur që ta ndihmoni financiarisht ndonjërën nga partitë shqiptare për realizimin e kampanjave parazgjedhore, ose përshembull t’i dilni krah atyre me financa si rasti i përmbytjeve në Tetovë?

Mendoj se është një pyetje paksa e turbullt, pasi partitë nuk duhet të ndihmohen financiarisht në përgatitjen e fushatës parazgjedhore, pasi ata mund të marrin mjete nga pushteti maqedonas, ma merr mendja. Ndërsa një temë krejtësisht tjetër është ndihma financiare në rast të katastrofave natyrore siç ishte rasti me vërshimet në Tetovë. Kam ndihmuar në Tetovë, njësoj siç kam ndihmuar edhe në raste të shumta të nevojës për ndihma emergjente private.

Mesazhi juaj për popullin dhe përfaqësuesit politik në Maqedoni?

Besoj se mesazhi im nuk do të arrijë në veshët e shurdhër të burokracisë së atjeshme, e instaluar në çdo pore të shoqërisë. Megjithatë, do t`i kisha këshilluar që të gjejnë një gjuhë të përbashkët kur janë në pyetje interesat e popullit shqiptar, duke i lënë anësh interesat e ngushta personale, pasi ata do të jenë përgjegjësit kryesorë të vuajtjes së popullit shqiptar në Maqedoni, me pasoja edhe në gjeneratat e reja, që në mesin e tyre do të jenë edhe pasardhësit e tyre. /tesheshi.com/