Protestë kundër BDI-së në Tetovë

97 Lexime

Një grup qytetarësh të revoltuar nga përmbajtja e bisedave të përgjuara ilegalisht e të publikuara nga El Cheka, kanë protestuar sot në Tetovë kundër partisë shqiptare në Qeveri, Bashkimit Demokratik për Integrim. Protesta ishte paralajmëruar për tu mbajtur para selisë së kësaj partie, por protestuesve ua bllokoi rrugën kordoni policor në një largësi rreth 500 nga selia partiake.

Protestës i printe Blerim Ahmedi, vëllau i publikuesit të përgjimeve El Cheka, ndërsa ishte i shoqëruar edhe nga përfaqësues të organizatave joqeveritare nga vendi dhe Shqipëria. Protestuesit insistuan disa herë që tu hapet rruga për të shprehur revoltën e tyre para selisë së BDI-së, por ata mbetën të bllokuar dhe para kordonit policor shpalosën edhe kërkesat e tyre ku dominonte ajo për zbardhjen e proceseve të montuara politike kundër shqiptarëve si dhe hetime për vrasjet e pazbardhura deri më tani.

“Siç e shihni edhe vetë jemi të bllokuar nga forcat e policisë me urdhër të Ali Ahmetit dhe jemi të detyruar që të mos eskalojë situate dhe mos të ketë vëllavrasje, të ndalojmë këtu për protestën e sotme. Mosbesimi ynë ndaj institucioneve, prokurorisë dhe gjykatës detyroi që të marrim këtë hap duke protestuar dhe kërkuar hetim ndërkombëtar te këto institucione. Poashtu të japin përgjegjësi edhe krerët e BDI-së dhe LSDM-së që veprojnë kundër ligjit duke ua mohuar çdo të drejtë shqiptarëve. Zëri ynë I bashkuar do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet derisa drejtësia të shkojë në vend”, ka thënë Blerim Ahmedi. /Shenja/