Detaje për biografinë e ministrave të rinj (Video)

94 Lexime

Pasnesër në Parlament në rend dite do të jetë shkarkimi i ministrave që i largoi kryeministri Zoran Zaev nga postet, ndërsa menjëherë pika e ardhshme do të jetë emërimi i ministrave të ri, ku bën pjesë edhe vetë kryeministri Zoran Zaev që u vetë-emërua ministër i Financave .

Do të shkarkohen dhe emërohen ministra në Bujqësi, Financa, Kulturë, Ekologji, Sistem politik dhe Pushtet lokal, ndërsa do të shkarkohet edhe zëvendës kryeministri Hazbi Lika që udhëhiqte Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që tashmë u zëvendësua me ministrinë që iu dha Sadulla Duraku, për Sistem politik.

Me propozimin për emërimin e ministrave të ri, kanë ardhur edhe biografitë e secilit prej tyre.

Zoran Zaev, ushtrues detyre i ministrit të Financave

Në biografinë e kryeministrit apo ministrit të ri të Financave, shkruan se ka studiuar ekonominë. Krahas karrierës profesionale dhe shkollimit, shkruan se është rritur në një familje modeste, tradicionale dhe se që nga rinia e hershme është kyçur në biznesin familjar të bujqësisë në fshatin e lindjes. Në biografinë e kryeministrit shkruan se familja e tij ka qenë e familje e njohur biznesmenësh që pas pavarësimit të Maqedonisë ka pasur një pozitë tejet të respektuar në shoqëri.

Hysni Ismaili, ministër i Kulturës

Për Hysni Ismailin, ministrin e ardhshëm të kulturës, shkruan se është doktor i shkencave mjekësore. Krahas gjuhës shqipe, flet edhe gjuhët maqedonase, turke, angleze, e boshnjake. Lidhur me aktivitetet e kulturës, në biografi shkruhet se ka qenë redaktor i librit, organizator i Panairit të parë të librit të botuesve privat shqiptar, redaktor i radio-dramave dhe të 90 radio-emisioneve nga fusha e kulturës, redaktor dhe udhëheqës i 80 programeve dokumentare televizive në gjuhën shqipe dhe njëri prej themeluesve të shtëpisë botuese “Logos A”. Në biografinë e tij përmenden edhe një numër i madh i punimeve shkencore nga fusha e mjekësisë.

Naser Nuredini, ministër i Ekologjisë

Ministër i ri i Ambientit Jetësor do të jetë Naser Nuredini i shkruan se ka kryer shkollën  për Biznes Ndërkombëtar në Austri, Gjermani dhe Britani të Madhe. Në grafën për gjuhët, figuron se flet shqipen, anglishten, gjermanishten dhe italishten, kurse flet edhe gjuhën maqedone dhe serbo-kroate.

Sadulla Duraku, ministër për Sistem Politik

Sadulla Duraku do ta udhëheq Ministrinë për Sistem Politik. Përveç funksioneve politike, në përvojën e punës përmenden edhe punësimet në dy shkolla të mesme në Kumanovë. Duraku ka shkruar të gjithë pozitat që i ka pasur gjatë 17 viteve të fundit në sektorin shtetëror. Sa i përket aftësive të tij, ka shkruar se është tejet komunikativ dhe i aftë për punën nën stres. Ka shkruar se di të përdorë kërkuesin e internetit “Internet Explorer” një ndër kërkuesit e parë prej kur është instaluar interneti në botë. Shkruan se di të punojë edhe me Microsoft Office.

Goran Milevski, ministër i Pushtetit Lokal

Për Goran Milevskin – liderin e Partisë Liberal-Demokrate, i cili do të jetë ministër i Pushtetit Lokal, shkruhet se para se të bëhet deputet, ka qenë profesor i lëndëve ekonomike në një shkollë të mesme të Manastirit, kurse lidhur me njohuritë përmenden MS Office dhe Internet, kurse flet edhe anglishten. Milevski ka shkruar me përpikëri edhe gjithë angazhimet që i ka patur nëpër komisione të Parlamentit gjatë funksionit të deputetit.

Trajan Dimkovski, ministër i Bujqësisë

Në Ministrinë e Bujqësisë duhet të emërohet Trajan Dimkovski, i cili deri më tani ka qenë shef i kabinetit të paraardhësit të tij Lupço Nikolovski. Përveç punës në Ministri, ka përvojë edhe në Këshillat drejtuese dhe shoqata nga fusha e bujqësisë. /Shenja/