Prokuroria kërkon 5 vite burg për afganezin që e theri shqiptarin
18:12:42 2018-01-21
Në procesin gjyqësor që është mbajtur në Kiel të Gjermanisë, Porkuroria gjermane ka kërkuar pesë vite burg për refugjatin 26-vjeçar afgan i cili theri me thikë një shqiptar, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Prokurori i lartë gjerman Michael Bimler, para trupit gjykues ka dëshmuar se refugjati nga Afganistani e ka goditur disa herë më thikë kuzhine viktimën shqiptare. Gjatë kësaj, ai është akuzuar se atij i ka shkaktuar plagë të rënda, shkruan „KN Online“, përcjellë Shtegu.com. Akuza paraprake për përpjekje për vrasje, nuk ka mundur të dëshmohet. Pala mbrojtëse ka kërkuar që i pandehuri të lirohet nga akuza, pasi ishte gjendur në vetmbrojtje. Gjykata do ta sjellë vendimin më 24 janar të këtij viti.
Viktima, një shqiptar 19-vjeçar, në qendrën strehimore në Neumünster, kishte pësuar lëndime të rënda dhe është dashur të operohet me urgjencë. Deklaratat e sulmuesit dhe viktimës kanë qenë kontradiktore. I pandehuri, sipas deklaratave të tij, një mysliman i devotshëm, përmes avokatit të vet ka deklaruar se ai e kishte sulmuar nga zemërimi, pasi shqiptari i ishte afruar për ngacmim seksual. Nga ana tjetër, viktima ka pohuar se ai është plaçkitur nga sulmuesi jashtë qendrës së strehimit duke iu vjedhur 3.500 euro. Më pas, shqiptari e ka përcjellë deri në qendrën e strehimit dhe atje ishte shkaktuar zënka. (Shtegu.com)