Prokuroria kërkon 15 muaj për burg për pensionistin zviceran që goditi për vdekje shqiptaren e re
12:59:33 2019-03-25
Shqiptarja e re, Elida Osmani (19-vjeçare), në nëntor të vitit 2017 e humbi jetën nga një vozitës pensionist i krisur (81-vjeçar), i cili pa frenuar fare e goditi ate në një vendkalim për këmbësorë. Tani, prokuroria kërkon 15 muaj burg.
Ajo po i telefononte nënën së saj, duke i thënë se do të vinte së shpejti në shtëpi. Por, praktikantja e Migros-it, Elida Osmani nuk arriti kurrë në shtëpi në mbrëmjen e 6 nëntorit 2017, shkruan „Blick“, përcjell Shtegu.com. Në kryqëzimin e rrugës „Hendschikerstrasse“ në Lenzburg AG, ajo u godit për vdekje nga vetura e dentistit të pensionuar K. S. (81), në mënyrë të pakontrolluar.
Vajza e re u godit aq fortë sa që pak më vonë iu nënshtrua lëndimeve të saj vdekjeprurëse në kokë. Tani, pensionisti 81-vjeçar akuzohet për vrasje të pakujdesshme. Zyra e prokurorit publik kërkon një burgim të pakushtëzuar prej 15 muajsh.
E gjithë kjo, pasi dentisti ishte një shkelës famëkeq i rregullave të trafikut. Siç kanë vërtetuar hulumtimet e „Blick“, K. S. po drejtonte veturën pa patentë shoferi, bile nuk ishte hera e parë. Që në vitin 2010, për shkak të një delikti në komunikacion, atij i ishte marr patenta e shoferit për një muaj. Por K. S. mbeti i papërmirësuar: Në vitin 2011, ai u kap përsëri në qytet me 80 km/h, përcjell Shtegu.com!
Megjithëse ai luftoi kundër tërheqjes së sërishme të patentës së shoferit nga të gjitha rastet, ai ishte i pasuksesshëm. Ai është dashur ta dorëzojë atë për një kohë më të gjatë.
Prokuroria e Lenzburg-Aarau zviceranin 81-vjeçar e akuzon, se nuk i ka dhënë vëmendje të mjaftueshme vendkalimit për këmbësorë, por një shenje të ndritshme në largësi prej 250 metrash dhe kështu ka goditur shqiptaren e re në vendkalimin për këmbësorë.
Atëbotë, K. S. kishte deklaruar: „Ishte errësirë dhe po binte shi. Nuk e pashë vajzën. Unë frenova vetëm kur e godita. „Paraprakisht, Elida ka zbritur në stacionin e autobusëve në dhe duke kaluar vendkalimin për këmbësorë që është i ndarë me një ujdhesë komunikacioni, është goditur për vdekje, përcjell Shtegu.com.
Hetimet e ekspertit të trafikut, të porositura nga prokuroria, kanë dëshmuar se i pandehuri e ka goditr shqiptaren me një shpejtësi prej së paku 58 km/h. Përveç vrasjes së pakujdeshme, Prokuroria në Lenzburg Aarau, të pandehurin e akuzon edhe për drejtim të automjetit pa patentë shoferi dhe mosrespektim të shpejtësisë së sinjalizuar maksimale.
Sipas infomatave të një të afërmi të Elidës, pas aksidentit të kobshëm, familja e saj është zhvendosur nga Lenzburgu, pasi kanë banuar në afërsi të vendngjarjes dhe nuk kanë mundur ta përkujtojnë për çdo ditë aksidentin.