Prof. Bakiu: Shqiptarët e Maqedonisë rrezikojnë të humbin komunat e tyre
13:02:28 2017-08-14
Profesori universitar Qashif Bakiu ka ngritur shqetësimin se shqiptarët e Maqedonisë rrezikojnë të humbin disa komuna shqiptare nëse vazhdojnë të jenë të fragmentarizuara, shkruan Kosova Post.
Në një postim në rrjetin social facebook ai ka shkruar se historia e Dollnenit, komunës shqiptare që u fitua nga partitë maqedonase në zgjedhjet e kaluara, mund të përsëritet edhe në disa komuna të tjera. “Ngelen dhe vetëm dy muaj për zgjedhjet lokale dhe asnjë aktor nga skena politike nuk merr guximin të merr iniciativë për komunat e rrezikuara. Dollneni, Kërçova dhe Struga sërish mund të vihen në pikpyetje.
Ndoshta këtyre komunave do tu shtohet edhe ndonjë tjetër si Dibra apo ndonjë komunë e pastër shqiptare që mund të kaloj në duart e partive maqedonase. A duhet të ripërsëritet edhe një herë historia që interesat kombëtare të vihen mbi ato partiake?!” Shkruan prof. dr. Qashif Bakiu.
Bakiu është profesor i skencave politike dhe juridike dhe njihet si një kritik dhe njohës i mirë i proceseve dhe partive politike shqiptare në Maqedoni. (Kosova Post)