Presidenti Nishani dekoron pas vdekjes atdhetarin Haki Efendi Sermaxhaj
22:17:10 2017-05-12
Një ditë e veçantë për familjen Sermaxhaj, pasi në këtë ditë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, e ka dekoruar pas vdekjes atdhetarin Haki Ef. Sermaxhaj me titullin „DEKORATA E ARTE E SHQIPONJES“. Dekoratën e pranoi djali i tij Irfan H. Sermaxhaj.
Një lajm të tillë e konfirmon edhe nipi i tij, Muhamet Sermaxha përmes profilit të tij në faqen e Facebookut. „Urime për Haki Efendi Sermaxhaj dhe krenohemi që jemi nipatr e tij“, ka shkruar Muhameti. Po kush ishte në të vërtetë Haki Efendi Sermaxhaj. Në vazhdim po ju sjellim biografinë e tij, të huazuar nga „Wikipedia“:
Myderriz Haki ef. Sermaxhaj lindi më 14 tetor 1914 në Hogosht të Dardanës (Kamenicë), në një familje me tradita fetare e atdhetare, i edukuar dhe i formuar si intelektual i guximshëm për çështjen e Besimit fetar, për kombin dhe Atdheun
Pasi kreu shkollën fillore në vendlindjen e tij në gjuhën serbe me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1925/26, Hakiu regjistrohet në “Meddah” medresen e Shkupit në vitin 1927/28 për t’u shkolluar nga Myderrizi dhe patrioti i shquar Ataullah Kurtishi.
I porsa kthyer nga përfundimi i medresesë “ Meddah” të Shkupit ku merr titullin Myderizz në vitin 1940, Haki Efendiu fillon aktivitetin e tij fetar e patriotik, në Medresenë “ATIK” të Gjilanit si Myderriz dhe drejtor i saj. Gjatë kësaj kohe ai bënë reformimin e medresesë. Ajo që është më e rëndësishmja e që do të luaj rol të rëndësishëm në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe të bashkimit kombëtar është futja e gjuhës shqipe si lëndë mësimi për herë të parë në Medrese.
Pas Luftës së Dytë Botërore, inkuadrohet në përpjekjet e popullit shqiptar për liri, demokraci e dinjitet kombëtar. Duke mos u pajtuar me riokupimin sllavo-komunst të viseve etnike Shqiptare, Haki Sermaxhaj do të gjendet në vorbullën e L.p.L.T.Sh. (Lëvizja për lirimin e Tokave Shqiptare), gjegjësisht ONDSH dhe “Besa Kombëtare”, si organizata legale politike të organizuara mirë dhe të krijuara në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me degët e shtrira në të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë, që kishin program dhe aspirate politike kombëtare, qëllimi i të cilave ishte çlirimi dhe bashkimi i trojeve shqiptare. Këtu Haki Semaxhaj shquhet si udhëheqës dhe organizator i aftë duke qëndruar në krye të Komitetit të Qarkut NDSh-së për Rrethin e Gjilanit, për shpëtim e bashkim kombëtar.
Pas zbulimit dhe burgosjes së KQ me qendër në Shkup, në gjysmën e dytë të muajit gusht të vitit 1946, burgoset edhe Haki Sermaxhaj në burgun e OZN-ës së Qarkut të Shkupit, ndaj të cilit përdoren torturat nga mëtë tmerrshmet çnjerëzore, si pasojë e të cilave sëmuret rëndë dhe nuk i ofrohet kurfar ndihme mjekësore. Ishte kjo arsyesja që Hakiu të mos gjykohet së bashku me të tjerët në “ Procesin e Gjilanit”, por për të do të organizohet gjykim veçant në Gjygjin e qarkut në Gjilan, ku dënohet me 20 vjet burgim të rëndë. Për vuajtje të dënimit dërgohet në burgun e Mitrovicës së Sremit.
Myderrizi Haki ef. Sermaxhaj vdiq më 27 janar 1948, pas 9 muaj qëndrimi në spitalin e burgut të Mitrovicës së Sremit. Disa shokë, me leje të drejtorisë së burgut, e varrosën në varrezat e burgut të Mitrovicës së Sremit. Eshtrat e tij edhe tani prehen në tokën e huaj.