Policia zvicerane ndalon një shtetas kosovar me armë imituese

54 Lexime

20:06:12                2019-04-16

 

 

Të shtunën në Zvicër, janë arrestuar dy persona 21-vjeçarë. Në qendrën e qytetit të Cyrihut, ata kanë shënjestruar me një armë imituese, nga një veturë në lëvizje.
Njëri nga ta, e ka hapur dritaren e veturës ngjyrë gri dhe ka shënjestruar në afërsi të stacionit hekurudhor kryesor të Cyrihut. Mbrëmjen e së shtunës, një udhëtar i tramvajit, e ka thirrë policinë. Menjëherë pas kësaj, edhe një kalimtar rasti ishte lajmëruar dhe kishte deklaruar se e kishte parë një veturë ngjyrë gri në kryqëzimin e rrugëve Talstrasse dhe Bärengasse, nga e cila me armën imituese ishte shënjestruar trotuari, shkruan „20 Minuten“, informon Shtegu.com. Për fat të mirë, në afërsi nuk ka pasur asnjë person.

Pas marrjes së përshkrimit të automjetit nga qendra e kujdestarisë, policia ka arritur të identifikojë veturën në fjalë në rrethin 4. Automjeti është ndaluar me kujdesin e duhur, ka njoftuar policia e qytetit, përcjell Shtegu.com. Gjatë kontrollit të personave, tek ta është gjetur një armë imituese.
Policia arrestoi dy udhëtarët e automjetit gri. Bëhet fjalë për një shtetas kosovar (21) dhe një brazilian (21). Ata janë dërguar në një stacion policor për sqarime të mëtejshme.

Policia thekson se edhe për oficerët policorë, armët imituese nuk mund të dallohen nga ato të vërtetat dhe për këtë arsye, mund të shkaktohen situata të rrezikshme për të gjithë që përfshihen, por edhe për kalimtarë të rastit. Mbajtja e armëve imituese është gjithashtu e ndaluar.