Një vozitëse 34-vjeçare nga Maqedonia e Veriut, ka rastisur dy herë në një kontroll policor brenda disa orësh, pa patentë shoferi.
Të shtunën pasdite (23 maj 2020), forcat e policisë në Zug kontrolluan një vozitëse në rrugën „Bahnhofstrasse“ në Komunën Cham. Ata zbuluan se 34-vjeçarja verimaqedonase nuk ka patentë shoferi të vlefshëm, shkruan policia zvicerane në një komunikatë. Pas kësaj, asaj iu ndalua të vazhdonte rrugën.
Sidoqoftë, kjo nuk e pengoi që disa orë më vonë, ajo sërish të ulej mbi timon, informon Shtegu.com. Megjithatë, rruga nuk i zgjati shumë, në rrugën „Steinhauserstrasse“ në qytetin Zug, vetura u ndalua sërish nga e njëjta patrullë policore. Ata ndaluan automjetin për herë të dytë dhe përsëri u takuan me verimaqedonasen 34-vjeçare që ishte pas timonit.
Si rezultat i kësaj, vetura iu konfiskua nga prokurori publik në Kantonin e Zug. Për më tepër, verimaqedonasja duhet të përgjigjet për sjelljen e saj të keqe me prokurorin publik.

