Pensionohet qeni policor zviceran pasi arreston dy shqiptarë
13:05:34 2017-01-01
Gjatë një plaçkitjeje në Wilen bei Wollerau të Zvicrës janë arrestuar dy shtetas shqiptarë, me ndihmën e qenit policor me nofkën Aika. Ishte ky angazhimi i fundit i qenit para se të pensionohet.
Gjatë një plaçkitjeje në një shtëpi në Wilen bei Wollerau të Zvicrës, dy shtetas shqiptarë janë arrestuar. Një banues i vëmendshëm i kishte vërejtur tre persona të dyshimtë, të cilët janë sjellë atypari rreth orës 21.00, thuhet në një komunikatë të Policisë kantonale të Schwyzit, të lëshuar gjatë të dielës, përcjellë „Shtegu.com“.
Disa patrulla policore menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, të cilat e kanë rrethuar shtëpinë në fjalë. Të përkrahur nga qeni Aika, policët kanë arritur të arrestojnë dy shtetas shqiptarë. Personi i tretë i panjohur është larguar para se të arrinte policia. Me këtë rast, qeni policor e ka realizuar angazhimin e tij të fundit për policinë, pasi ishte paraparë që në fund të vitit të kaluar ai të pensionohej.