Pas Kosovës, edhe Prishtina në një rang më të lartë?!
Pas suksesit të FC Kosova që gëzoi të gjithë shqiptarët në diasporë dhe vendlindje, pas inkuadrimit në Ligën e parë promovuese zvicerane, në radhë është edhe një spektakël i madh i ekipit shqiptar në diasporë, FC Prishtina nga Berna. Në të vërtetë, FC Prishtina ka përfunduar kampionatin e rregullt në Ligën e tretë rajonale të Bernës, duke fituar bindshëm dhe me plotë meritë vendin e parë në tabelë, me 22 fitore rekorde dhe vetëm dy humbja pa asnjë barazim, që do të ishte për lakmi për secilin ekip futbolli. Në një deklaratë enkas për „Shtegu.com“, nënkryetari dhe shefi i financave në ekip, zotëri Enver Qorraj, ka deklaruar: „Jemi të gatshëm të inkuadrohemi në Ligën e dytë rajonale dhe kam besim të madh në lojtarët dhe ekipin, pasi kemi arritur të krijojmë një harmoni të pashoqe dhe disiplinë shembullore në ekip, duke i motivuar të rinjtë në suksese të mëtutjeshme. Jam tepër i lumtur që të rinjtë shqiptarë e kanë kuptuar se edhe ne dimë të luajmë futboll, se edhe ne mund të jemi kundërshtarë të denjë të secilit ekip, në ligat rajonale, por më së tepërmi më gëzon fakti se të rinjtë shqiptarë i kanë hequr paragjykimet e vjetra dhe janë të orientuar në arritje të mëtutjeshme në Zvicër, drejt një integrimi të mirëfilltë shoqëror. Përndryshe FC Prishtina është njëri ndër ekipet shqiptare më të vjetra në Zvicër, i themeluar në vitin 1990. Kemi ekipin e juniorëve, i cili me sukses po garon në ligën përkatëse, ndërsa kemi edhe ekip në Ligën e pestë rajonale, i cili gjatë këtij sezoni, ka arritur të inkuadrohet në Ligën e katërt“. Nga ana tjetër, edhe kryetari i ekipit, Selami Topalli ka shprehur optimizmin e tij për inkuadrim në Ligën e dytë, duke veçuar disiplinën e madhe që është duke mbretëruar në ekip. Tashmë, mbetet edhe barriera e fundit që FC Prishtina të kalojë në Ligën e dytë rajonale, e kjo quhet FC Courroux. Gjatë të shtunës së ardhshme, FC Prishtina do të ballafaqohet me FC Courroux, në dy ndeshje barazhi për inkuadrim në një rang më të lartë. Mëposhtë mund ta shikoni edhe orarin e ndeshjeve, duke shpresuar se nuk do të mungojnë tifozët në numër më të madh, që do të ishte lojtari i „12“-të për të korrur suksesin. T`i dëshirojmë fat FC Prishtinës !!!
Ndeshje barazh për inkuadrim në Ligën e dytë FC Courroux – FC Prishtina
E shtunë, 13 qershor, ora 18.00h, fusha sportive: Bellevie 68, 2822 Courroux
Ndeshja kthyese: E shtunë, 20 qershor, ora 17.00, fusha sportive: Bodenweid, 3018 Bern