11:44:01 2019-08-04
Padi kolektive për Maqedoninë e Veriut në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg
Nara dhe Rama Assaf kanë dashur të shpëtojnë nga lufta në Siri. Gjatë rrugës për në Gjermani, ata u kthyen vazhdimisht në mënyrë të paligjshme dhe me forcë përsëri nga Ballkani. Së bashku me gjashtë refugjatë të tjerë nga Siria, Iraku dhe Afganistani, për këtë, ata kanë paditur Maqedoninë e Veriut.
Një kamion është duke shkarkuar në oborrin me diell, të një qyteti në Gjermaninë Jugore. Këtu bëhet fjalë për banesën e vogël të Nara Aassaf. Në vizitë është vajza e saj 25-vjeçare Rama, shërbehet limonadë e ftohtë dhe rrëfehen kujtime torturuese. Për arratisjen rraskapitëse të familjes katëranëtarëshe nga shtëpia e tyre siriane në Alepo, në të ashtuquajturin itinerar ballkanik.
Familja e saj dhe katër refugjatë të tjerë nga Iraku dhe Afganistani, shtetin e Maqedonisë së Veriut e kanë paditur për dëbim të paligjshëm grupor në Greqi, shkruajnë mediat gjermane, informon Shtegu.com.
„Ne kemi konstatuar se me dëbimin e mbi 1.500 refugjatëve, Maqedonia e Veriut e ka shkelur Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut në disa mënyra“.
Carsten Gericke është një avokat në Organizatën e të Drejtave të Njeriut në Berlin ECCHR. Ai përfaqëson aplikantët përpara Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Pranverë 2016. Familja Assaf është bllokuar në vendkalimin kufitar greko-verimaqedonas në Idomeni, së bashku me rreth dhjetë mijë refugjatë të tjerë. Tani, një gardh i lartë me tela me gjemba dhe ushtarë e policë të armatosur të Maqedonisë së Veriut, e bllokojnë rrugën në këtë pikë. Në mesditën e 14 marsit 2016, është shkaktuar një lëvizje e papritur, tregojnë Rama dhe Nara Asaf, më shumë se tre vjet më vonë. Për shkak të padisë, gazeta gjermane ua ka ndryshuar emrat.
„Të tjerët thanë në rregull, ata po shkonin drejt kufirit të Maqedonisë së Veriut. Edhe unë thashë, atëherë duhet të shkojmë edhe ne”.
Më shumë se 1.500 refugjatë u nisën. Me rreth 600 prej tyre, familja Asaf është ndaluar në një kodër nga ushtarët e Maqedonisë së Veriut. Ata është dashur të durojnë gjatë tërë natës. Të rrethuar nga ushtarë të armatosur të Maqedonisë së Veriut që mbanin qenë dhe kërcënonin me goditje, i përkujton ato çaste Nara Asaf, informon Shtegu.com.
„Dhe kështu e kaluam natën, përderisa flinim nëpër shi dhe kishte shumë ushtarë dhe qenë. Ata na thanë se nëse nuk largohemi tani, ata do t`i nxisin qentë ndaj tyre“.
„Duhet të ktheheni mbrapa, kufiri nuk do të hapet kurrë“, shton vajza e saj Rama. Asgjë nuk është e dokumentuar. Pak kohë më vonë, në prill të vitit 2016, policia dhe ushtria e Maqedonisë së Veriut përdorën gaz lotsjellës kundër refugjatëve, përfshirë edhe familjen Asaf.
„Atëherë e kuptuam se duhej të luftonim“, thotë Nara Asaf. „Sepse ishte e padurueshme“.
Familja Asaf dhe paditësit e tjerë nga Afganistani dhe Iraku, i referohen Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Neni 4 i Protokollit të Katërt Shtesë ndalon të ashtuquajturat dëbime kolektive pa asnjë procedurë, ndërsa neni 13 garanton të drejtën për një mjet efektiv juridik. Një dënim për Maqedoninë e Veriut do të kishte një efekt sinjalizues, beson avokati Carsten Gericke.
„Sidoqoftë, edhe më e rëndësishme, megjithatë, më duket se një vendim pozitiv nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut do t’i privojë shtetet e kufirit të jashtëm nga legjitimiteti i tyre politik, për shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut.“
Gjithashtu edhe nëna dhe vajza e familjes Asaf dëshirojnë qartësi.
„Shpresojmë që ata të përfundojnë me këtë veprim agresiv. Edhe nëse vij nga një vend tjetër, unë kam të drejta. Dhe nuk i takon askujt të mos e respektojë këtë të drejtë dhe të më lëndojë“.

