Optimistja më e madhe në Kosovë

49 Lexime

Është shumë vështirë ta ndërpresësh gjermanen 31-vjeçare Nina Theis, kur ajo fillon të rrëfejë për njerëzit dhe fatin që të jetohet në Kosovë. „Njerëzit janë jashtzakonisht mikpritës, është një vend shumë dinamik dhe gjithçka është duke ndryshuar. Është kënaqësi të jetosh këtu“. Nina Theis nuk flet për Kaliforninë apo Hong Kongun, por ajo është duke punuar në kryeqytetin kosovar të Prishtinës, një vend të cilin aktualisht shumë njerëz dëshirojnë ta braktisin.

Së paku kështu thonë statistikat për refugjatë. Po të analizohen shifrat e Entit gjerman të Migrimit, të cilat ai i paraqet për çdo muaj, në Kosovë nuk ka shumë vend për fat, përparim apo kënaqësi. Është një vend me dy milionë banorë, në të cilin papunësia e të rinjve është më tepër se 50 për qind. Dhe është një vend, nga i cili të rinjtë kërkojnë azil në Gjermani që nga fillimi i vitit. Vetëm në gjysmëvjetorin e parë ishin rreth 31.000 persona, shifër kjo e cila në krahasim me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është më e larta. Njeriu duhet të jetë një optimist i madh po të përshkruhet bota atje, ashtu siç e bën Nina Theis.

Si duket, optimizmi i saj është një nga kualifikimet e rrepta të nevojshëm për të ushtruar detyrën e saj. Që nga fundi i muajit maj, në emër të Shoqërisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ajo është duke udhëhequr me të ashtuquajturin Infobyro në Prishtinë. Është një pilot projekt i llojit të veçantë, pasi është zyra e parë e këtij lloji, me të cilën Gjermania po përpiqet që nga qendra e vendit të migrimit, të parandalojë njerërzit për migrim dhe në të njëjtën kohë, të informojë ata për parashikimet e punësimit. Sipas Theis, ajo dhe tre bashkëpunëtorët e saj janë duke tentuar të paraqesin pasqyrën e vërtetë për ata të cilët përpiqen të migrojnë në Gjermani, të mashtruar nga premtimet boshe të trafikantëve. Ekzistojnë bindje se azili pranohet menjëherë, se në Gjermani ju presin krahëhapur dhe ju furnizojnë me të holla. Aq dezinformata ka sa që ato përhapen si ndonjë flakkë e zjarrit që vështirë se mund të shuhet.

Theis dhe bashkëpunëtorët e saj i informojnë personat se cilat janë mundësitë e punësimit, duke i përkujtuar ata se ekziston rruga për në Gjermani, po që se ndonjëri sjellë kualifikime të cilat atje mungojnë. Agjencia e përgjithshme gjermane për punë, i ka shfletuar profesionet të cilat kanë mungesë në kuadro, në të cilat ndjehet mungesa e profesionistëve në hidraulikë, instalues dhe personel për përkujdesje. Në Gjermani kjo është ditur qëmoti, ndërsa kosovarët mund të informohen tani edhe në Prishtinë.

Jehona e hapjes së kësaj zyre ishte në nivel të ulët, pasi javën e parë ate e vizituan njëqind vizitorë, ndërsa rreth 3.000 persona kishin marrë informacione përmes rrjetit social Facebook. Kjo vizitueshmëri e vogël ka të ngjarë të jetë rezultat i muajit të Ramazanit dhe sezonit të pushimeve verore, deklaron studiuesja e shkencës islamike, Theis. Gjatë vjeshtës do të startojë një fushatë informative dhe pritet që të shtohet numri i vizitorëve. Optimistja mbetet optimiste, e përfundon artikullin e saj „Süddeutsche Zeitung“.