Një platformë e re interneti në Zvicër mbi islamin dhe myslimanët

127 Lexime

Qendra zvicerane e islamit dhe shoqërisë së Universitetit të Friburgut, ka lansuar një faqe në internet kushtuar islamit. Platforma ofron informacione mbi disa tema në lidhje me fenë dhe praninë myslimane në Zvicër

Krijohet një platformë e re në internet që ofron informacion shkencor dhe empirik mbi islamin dhe myslimanët në Zvicër. Objektivi i saj kryesor është të sigurojë të dhëna të hollësishme dhe kritike mbi temat me interes publik, siç është financimi i xhamive.

Pas pesë vjetësh aktivitet, Qendra zvicerane e islamit dhe shoqërisë (CSIS) në Universitetin e Fribourgut po lanson një faqe në internet kushtuar islamit. „Kjo është e para në vendin tonë“, kanë thënë të premten në një deklaratë, informon Shtegu.com.

Faqja „Islam and Society“ do të sigurojë informacion historik, ligjor dhe statistikor mbi praninë e myslimanëve në Zvicër. Analizat gjithashtu do të „hedhin më shumë dritë mbi debate të nxehta publike të tilla si veshja e mbulesës ose financimi i xhamive“, thuhet në njoftimin për shtyp.

Platforma gjithashtu do të sigurojë të dhëna për përbërjen sociodemografike të personave me kultura dhe besime myslimane në Zvicër, të tilla si numri i tyre, arsyeja e mbërritjes së tyre, vendi i tyre i origjinës, niveli i tyre i trajnimit dhe integrimi i tyre në tregun e punës. Faqja është pozicionuar gjithashtu në tema të ndryshme, siç janë hoxhallarët e Zvicrës.

Platforma u drejtohet mësuesve, profesionistëve në fushat sociale dhe integruese, gazetarëve, studentëve dhe kujtdo që dëshiron të mësojë më shumë rreth praktikave që lidhen me fenë. CSIS është një qendër kompetence e mbështetur nga Konfederata zvicerane që merret me çështje që lidhen me islamin dhe shoqërinë dhe inkurajon vetinterpretimin islam. Ajo punon në bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike dhe organizatat myslimane.