Një „Arigonë“ tjetër sërish tronditë Austrinë
21:23:22 2017-04-28
Filloreta gjashtëmbëdhjetëvjeçare do të dëbohet nga Austria në Kosovë, pasi sipas Ministrisë së Jashtme austriake, ajo vjen nga një vend me prejardhje të sigurt.
Në vitin 2013, Filloreta gjashtëmbëdhjetëvjeçare ishte arratisur me familjen e saj nga Kosova, për në Austri. Momentalisht ajo jeton në Timelkam (Oberösterreich) dhe është mirë e integruar, ndërsa aktualisht është duke absolvuar praktikën për kuzhiniere dhe kamariere. Pas prindërve të saj, tashmë edhe ajo ka pranuar vendimin për tu larguar nga territori austriak. Ajo është marrë nga rruga, është shoqëruar në një qendër paraburgimi në Linz dhe më në fund është dërguar në Vjenë. Nga këtu, tinejxherja shqiptare do të dëbohet për në Kosovë.
Austriaku Thomas Eder nga Timelkam e njehë mirë Filloretën, pasi së bashku me bashkëshorten dhe tre djemtë e vet, ka dashur ta adoptojë në familje. Bile, njëri nga djemtë, Lukasi i kishte shkruar një letër emocionale ministrit të Brendshëm austriak, Wolfgang Sobotka (ÖVP).
Por, pa sukses: Vajza shqiptare do të dëbohet. „Kosova është një vend i sigurt i prejardhjes. Sipas informatave tona, atje askush nuk përndiqet, as për shkaqe politike e fetare e as për shkaqe të tjera. Me siguri se secili rast do të shqyrtohet nga organet përkatëse të pavarura“, thuhet për rrethanat aktuale në Kosovë, shkruan „Heute“, njofton „Shtegu.com“. Nuk ka komente lidhur me rastin personal të Filloretës nga ana e Ministrisë: „Për raste individuale nuk japim informata, kanë pohuar nga atje.
Lidhur me kohëzgjatjen e procedurës së Ministrisë së Brendshme, thuhet: „Sa ju përket vendeve të sigurta të prejardhjes, procedura realizohet shumë shpejt. Brendady deri pesë javësh sjellet vendimi i instancës së parë. Gjatë kësaj periudhe informohet intensivisht se në Austri nuk pranohet azili. Pas rreth dy deri tre muajsh, sjellet edhe vendimi i instancës së dytë“.
Në rastin e Filloretës, procedura ka zgjatur pothuajse katër vite, deri në momentin që ajo e pranoi një përgjigje negative. Tashmë vajza shqiptare është duke pritur e vetme në Vjenë për tu dëbuar. Edhe sa kohë do të zgjasë kjo, mbetet e paqartë: „Se kur dëbohet një person është çështje individuale. Tek të miturit vlejnë masa të jashtzakonshme. Dëbimi është mënyra e vetme, po që se refuzohet largimi vullnetar“, thonë nga Ministria.
Rasti në fjalë na përkujton historinë e Arigona Zogaj e cila për një periudhë të gjatë e mbajti nën ethe tërë Austrinë.