MPJ vendosi tabelat me mbishkrimet e reja, mungon gjuha shqipe

79 Lexime
 

MPJ vendosi mbishkrim dhe tabela të reja në godinën e saj, por mungon gjuha shqipe.

 

“Institucionet kanë filluar me vendosjen e tabelave të reja të cilat flasin vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze. Ata ende nuk kanë vendosur tabela në të cilat shkruhet emri i institucionit edhe në gjuhën shqipe”, Mevludin Imeri- Gazetar.

Për mbishkrimin e emrit të MPJ, kërkuam përgjigje nga zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ajo na tha përgjigje të kërkojmë në Qeveri.

E zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakoski tha se për këtë po dëgjon për herë të parë.

“Nëse ka ndodhur një gjë e tillë, sigurisht ka ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm ose dje. Do të kontrollojmë, por nëse ekziston ndonjë ngecje ose gabim ajo tabelë do të ndërrohet”, deklaroi Mile Boshnjakoski.

Sipas zëdhënësit Mile Boshnjakoski ata institucione të cilat nuk do ta respektojnë ligjin do të dënohen ashtu siç e parasheh ligji.

Nënkryetari i grupit ndër-resorësh, Tahir Hani thotë se do të ketë sanksione për personat juridik të cilët nuk e respektojnë gjuhën shqipe.

“Institucionet të cilat nuk kanë respektuar ligjin për përdorimin e gjuhëve në vendosjen e tabelave dhe mbishkrimeve dhe këto tabela dhe mbishkrime kanë pasuar pas ndryshimit të amendamenteve kushtetuese që burojnë nga MO-së, kanë bërë ndryshimin e emrit, por nuk kanë respektuar përdorimin zyrtar të gjuhës, kanë bërë shkelje të ligjit dhe nuk mund të arsyetohet për këtë shkelje”, tha Tahir Hani.

Ndryshe, tabelat me emrin e ri të shtetit kanë filluar të vendosen në pikat kufitare. Qeveria ka publikuar edhe listën e institucioneve të cilat do të duhet t’i ndryshojnë tabelat. Në listën e publikuar, emrat e disa institucioneve ishin shkruar edhe në shqip, por ishin me shumë gabime drejtshkrimore./Tv21