Në Zvicër, Ylfete Fanaj arriti në vitin 1991 ku edhe kreu shkollën fillore në një shkollë ku për herë të parë po regjistrohej një nxënëse nga Ballkani. Në vitin 2007, zgjedhet në Këshillin komunal të Lucernit dhe atëbotë, si 25-vjeçare ishte kosovarja e parë në një parlament zviceran.
Dhe ja tani, me 37-vitet e saj, Ylfetja është zgjedhur kryetare e Këshillit kantonal në Lucern, si migrantja e parë në këtë post, informon Shtegu.com.
“Gjithnjë kam qenë diku e para, por nuk kisha dëshirë të isha asnjëherë e vetmja”, pohon Ylfetja për „Luzerner Zeitung“.
Pas zgjedhjes si kryetare parlamenti, Ylfetes i kanë ardhur me mijëra urime e përgëzime, ndër të tjera, edhe nga „Mister Corona“ i Zvicrës, ish anëtar i Ministrisë së Shëndetësisë zvicerane Daniel Koch.
Në profilin e saj në Facebook, Ylfete Fanaj ka shkruar: „Sot u zgjodha kryetare kantonale e Kantonit të Lucernit 2020/21 . Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse. Për mua është një nder që të jem në gjendje të marr përsipër këtë detyrë të përgjegjshme“.

