Maqedonia e Veriut ka 2.588.506 qytetarë që posedojnë shtetësi, por mbetet i pasigurt numri i atyre që jetojnë në vend dhe i atyre që për më shumë se një vit jetojnë jashtë shtetit ose nuk kanë aspak adresë banimi brenda shtetit. Këto të dhëna dalin nga regjistri elektronik i popullsisë të cilin e promovoi sot ministri për shoqëri informative dhe administratë publike, Damjan Mançevski. Në këtë regjistër janë të evidentuar gjithsej 2.867.892 shtetas, ndërsa 2.618.391 janë të gjallë, pasi siç sqaroi në brifing me gazetarë vetë Mançevski, regjistri për 50 vite ruan edhe të dhënat e personave të vdekur. Nga 2.6 milion persona të gjallë të evidentuar në regjistrin elektronik, 2.422.484 janë regjistruar se jetojnë në shtet, ndërsa 175.553 janë me banim në shtete të huaja. Në numrin e përgjithshëm bëjnë pjesë edhe 29.885 shtetas të huaj me qëndrim të paraqitur në vendin tonë. Por numri i shtetasve që jetojnë brenda shtetit dhe atyre që janë jashtë, nga ministria për shoqëri informative dhe administratë publike, thanë se nuk duhet të merren si relevante sepse jo të gjithë shtetasit kanë paraqitur qëndrimin e tyre jashtë vendit edhe pse një gjë e tillë është e detyruar me ligj. Ministri Damjan Mançevski gjatë brifingut me gazetar tha se të dhënat e sakta për shtetasit që jetojnë brenda vendit dhe atyre që janë shpërngulur do të duhet të priten nga regjistrimi i popullsisë që është planifikuar të mbahet vitin e ardhshëm. Regjistri elektronik të cilin e promovoi sot Man[evkski tha se do të shërbejë për të krijuar identitetin elektronik të qytetarëve dhe për të ju shërbyer institucioneve në ofrimin sa më efikas të shërbimeve.
Damjan Mançevski
“Regjistri elektronik i popullsisë mbledh të dhënat për personat fizik dhe shfrytëzimin e tyre nga ana e institucioneve për nevojat e tyre në procedura administrative. Institucioneve që punojnë me të dhnat personale të qytetarëve ju mundësohet që këtu ti gjejnë të dhënat më të reja dhe më të sakta për qytetarët pa pasur nevojë të azhurohen me dorë. Sistemi përmban të dhëna të unifikuara, të verifikuara, të standardizuara dhe valide”
Regjistri elektronik i qytetarëve nuk do të zëvendësojë regjistrimin, por do të ndihmojë edhe gjatë operacionit të regjistrimi të popullsisë për t’i tërhequr të dhënat personale dhe për të shpejtuar procedurën e regjistruesve.
Damjan Mançevski
“Po e braktisim mënyrën klasike të regjistrimit me letra të mëdha të cilat i kanë mbajtur anketuesit, tani ata do të kenë pajisje adekuate, llaptop, të cilat gjatë paraqitjes në derë të anketuesit, do të tërhiqen të dhënat themelore nga Regjistri qendror i popullsisë. Por aty janë vetëm të dhënat elementare, atje nuk ka të dhëna me të cilat merret regjistrimi. Për shembull aty nuk ka përkatësi etnike, gjithashtu nuk ka edhe informata për të hyrat ose lloje të tjera të të dhënave statistikore që grumbullohen përmes regjistrimit”
Pas regjistrit qendror elektronik të qytetarëve, Ministria për Shoqëri Informative dhe administratë publike do të promovojë edhe portalin për shërbime elektronike ku shumë shërbime dhe dokumente të cilat qytetarët deri më tani i kanë marrë në letër, do të ju jepen në formë elektronike dhe pa pritur në sportele. /Shenja

