Maqedonia, aty ku e vërteta gënjen (2)

61 Lexime

16:23:20             2018-03-02

 

 

Në një shkrim të gjatë të së përditshmes gjermane „Die Zeit“, i vitit 2013, të cilin Shtegu.com do ta sjellë në vazhdime ditëve në vijim, përshkruhet gjendja e popullatës para dhe gjatë luftës së 2001-shit në Maqedoni.

Në Muzeun e arteve bashkëkohore në kryeqytetin e Shkupit, qëndron e varur një pikturë me vaj. Ajo paraqet një masakër, në të cilën shihen ushtarët turq duke prerë në fyt me thikë në lloj të draprit maqedonasit, duke dhunuar gra, duke plaçkitur çilima, mobilje dhe stoli. Titulli i fotografisë është: Ngjarjet e vërteta në fshatin Papradishte 1884. Me siguri se ekzistojnë edhe versione të tjera të ngjarjes, përndryshe piktori nuk do të mund ta paraqiste ngjarjen në mënyrë të dyshimtë. Me siguri se turqit kanë pohuar që në Papradishte, në vitin 1884 ka ndodhur e kundërta, se turqit janë vrarë, dhunuar e plaçkitur. Ndoshta ka edhe rrëfime të tjera, të cilat dëshmojnë se në këtë foto nuk mund të flitet për ndonjë masakër, por për një festë, e cila nuk paraqet urrejtjen në mes popujve, por për miqësi në mes tyre. Megjithatë, kundërthëniet nuk kanë fund.

Lumi Vardar paraqet një hendek. Ai e ndanë kryeqytetin në dy pjesë. Në veri të qytetit mund të arrihet duke kaluar urën, të cilën këtu të gjithë e thërrasin Ura e Vjetër e Gurit, pasi deri më sot ende nuk dihet saktësisht se kur është ndërtuar. Këtu gjendet Çarshia e Vjetër. Rrugët këtu janë të shtruara me kalldërm, rrugica të ngushta, shitore, kundërmon në lëkurë, ngjitës dhe ambient oriental. Çarshia i mbijetoi tërmetit shkatërrimtar të vitit 1963, përderisa në anën tjetër, në jug të qytetit u shkatërruan pothuajse tërësisht të gjitha ndërtesat, me ç` rast jetën e humbën rreth tre mijë persona. Dikur më herët, shqiptarët dhe maqedonasit nga të dy brigjet e lumit kanë jetuar së bashku. Kjo „dikur“, mbetet e papërcaktuar, pasi tashmë dy dekada vërehet qartë ndarja etnike e qytetit. Sllavomaqedonasit u vendosën në pjesën moderne e më të pasur të qytetit, ndërsa shqiptarët nga jugu në veri, në pjesën më të varfër të tij. Përse ndodhi kjo, edhe për këtë ka një rrëfim në vete.

Në vitin 1994, policia maqedonase mori guximin dhe i sulmoi shitësit e cigareve, të cilët kishin krijuar ilegalisht një treg prapa Çarshisë. Me këtë rast u shkaktuan trazira dhe u vra një person, një slavomaqedonas, shkruan më tej „Die Zeit“, njofton Shtegu.com. Ajo se çfarë saktësisht ndodhi atë ditë, nuk mund të definohet me saktësi. Vetëm pasojat e kësaj vdekje ishin të qarta. Maqedonasit masovisht u zhvendosën në pjesën jugore të qytetit, përtej urës. Ata nuk ndjeheshin më të sigurt. Natyrisht se edhe shqiptarët u frikësuan, duke kaluar në pjesën veriore të qytetit. Askujt nuk i interesonin statistikat e shifrat. Vetëm dihet se kështu duhet të jetë. Dhe, mund ta paramendoni se si e rrëfejnë këtë ngjarje shqiptarët dhe maqedonasit, përderisa për herë të fundit kalojnë në anët përkatëse të urës: „Shqiptarët janë ata që e vranë njeriun në treg. Ishte një njeri i mirë, u vra pa kurrfarë faji. U vra vetëm pse ishte maqedonas“. Nga ana tjetër: „Ai u vra nga policia maqedonase, për t`ia lënë fajin palës shqiptare“, apo: „Kontrabanduesit e cigareve janë fajtorë, të gjithë ata janë shqiptarë“ dhe: „Policia për gjithçka është fajtore. Të gjithë janë maqedonas“. Kështu supozohet se ka ndodhur, ndoshta edhe pak më ndryshe. Sidoqoftë, ura e vjetër boshatiset edhe kësaj mbrëmje duke mbetur në errësirë.

Natyrisht se pas çdo ngjarje ekziston edhe një rrëfim tjetër. Në vitin 1981, në Kosovë u shkaktuan trazirat e para. Sapo kishte vdekur Mareshali Tito dhe shqiptarët kërkuan më tepër të drejta. Në vitin 1987, në pushtet erdhi Sllobodan Milosheviçi, i cili serbëve të tij të Kosovës u premtoi se asnjëherë më nuk do të sulmoheshin. Ai i shtypi shqiptarët deri në vitin 1999 kur NATO ishte e detyruar të intervenojë. Vitet 1981, 1987, 1999 ishin vite të trazirave, ndërsa Shkupi i mori mbi vete si seizmograf. Një maqedonas i vdekur ishte vetëm një sinjal se edhe këtu mund të ndodhte njësoj sikurse atje në Kosovë. Njerëzit pësuan konsekuencat e veta. Ata filluan të ktheheshin nëpër pjesët e veta të qytetit. /Vazhdon/ (Shtegu.com)