Maqedonasja kërkon biletë kthyese për Maqedoni në stacionin policor, udhëton falas për burg
19:39:07 2017-07-26
Një grua 38-vjeçare nga Maqedonia, të hënën ka vizituar stacionin e policisë federale në Hildesheim të Gjermanisë. Fillimisht ajo kërkoi azil, e më pas ka kërkuar një biletë kthyese për Maqedoni. Ajo kishte dëgjuar se mund të pajiset me një biletë kthyese, po që se parashtron kërkesë për azil në polici.
Gruaja maqedonase ka deklaruar se nuk posedon dokumente identifikimi, por nuk kishte llogaritur në zbulimin e identitetit të saj përmes shenjës së gishtërinjve, shruajnë mediet gjermane, njofton „Shtegu.com“. Nga ky veprim u zbulua se maqedonasja ka pasur një dosje të madhe deliktesh, me katër urdhërarreste aktuale, tre hetime për qëndrim të paligjshëm në Gjermani dhe një ndalesë trevjeçare në territorin gjerman.
Gjatë hetimeve të mëtutjeshme, policia ka gjetur edhe pasaportën e saj të rregullt. Në vend se të udhëtojë për në Maqedoni, asaj nuk iu dashtë biletë për në burg.