Luksemburgu transporton pacientët pas zjarrit në një disko në Maqedoninë e Veriut

62 Lexime

Shërbimi i shpëtimit ajror të Luksemburgut LAR ndihmoi në transportimin e katër pacientëve me djegie të rënda nga Maqedonia e Veriut në Hungari dhe Kroaci për trajtim

 

Shërbimi i shpëtimit ajror të Luksemburgut, LAR, ka transportuar dy pacientë në Hungari dhe dy në Kroaci për trajtim pas zjarrit në një diskotekë në Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën 59 persona të dielën. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Jashtme.

 

Luksemburgu ishte një nga nëntë vendet e BE-së që ofroi menjëherë ndihmë pas zjarrit në Koçan të dielën herët në mëngjes. 155 persona u plagosën nga katastrofa e zjarrit, shkruan „Luxemburger Wort“.

 

Zjarri në një koncert hip-hop ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga mjetet piroteknike të përdorura për efekte skenike, u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, sipas Bloomberg.

 

Maqedonia e Veriut kishte kërkuar ndihmë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për evakuimin e 15 pacientëve me djegie të rënda, tha Komisioni Europian në një deklaratë të hënën, transmeton portali Shtegu.

 

Shërbimi i shpëtimit ajror të Luksemburgut transferoi dy pacientë nga Maqedonia e Veriut në Hungari për trajtim, tha një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme në një email për Luxembourg Times të hënën pasdite. “Të dy pacientët po marrin kujdes të specializuar në Hungari,” tha zëdhënësi.

 

“Për momentin, operacionet janë ende në vazhdim dhe ekziston mundësia që më shumë pacientë të evakuohen nga shërbimi i shpëtimit ajror të Luksemburgut”, shtoi zëdhënësi. Komisioni Evropian tha se “mbetet në kontakt të ngushtë me autoritetet kombëtare në Maqedoninë e Veriut dhe është i gatshëm të mobilizojë ndihmë të mëtejshme nëse është e nevojshme”. Sipas një njoftimi për shtyp të martën në mëngjes, dy pacientë të tjerë në fakt janë sjellë në Kroaci për trajtim.

 

Ndërkohë, po punohet për shkaqet. Të paktën 15 persona janë arrestuar nga policia në Maqedoninë e Veriut.