Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Mediumet
Përfaqësitë diplomatike në Shkup
Organizatat Joqeveritare
Partitë politike që përkrahin lirinë e medias
Piter Van Haute
Të gjithë dashamirët e fjalës së lirë
Të nderuar,
Të martën në redaksinë tonë kanë arritur 5 kërkesa për kërkim falje nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kryetari i saj, Ali Ahmeti dhe deputeti Artan Grubi, njëherit shef i kabinetit të Ali Ahmetit, me pretekst se kemi publikuar tekste ku kemi shpifur dhe ofenduar. Në të kundërtën ata kanë paralajmëruar ngritjen e padisë në gjykatë kundër nesh.
“Lajm” menjëherë ka konsultuar disa avokatë dhe vlerësimet e tyre të para janë se pretendimet e BDI-së nuk kanë kurrfarë baze. Mirëpo asnjëri prej tyre nuk garanton se Gjykatat do të hedhin poshtë paditë eventuale, për shkak se BDI është parti në pushtet, kurse Gjyqësori në Maqedoni është i partizuar deri në maksimum.
Frika e avokatëve është edhe më e madhe për shkak se bëhet fjalë për subjekt politik për funksionarët e të cilës janë paraqitur incizime, ku dëgjohet se kanë kurdisur emërime të kuadrove udhëheqëse në sferën e gjyqësorit. Aq më tepër, bëhet fjalë për një parti ku avancohen kuadrot të cilat kërcënojnë mediumet dhe gazetarët, siç është rasti me ministrin që ka kërcënuar kryetarin e SHGM-së, Naser Selmani, e që tani është ndër kuadrot më të afërta të kryetarit të kësaj partie.
Edhe përkundër këtyre vlerësimeve të avokatëve, “Lajm” e ka njoftuar publikisht BDI-në dhe opinionin se nuk kemi ndërmend të kërkojmë falje për tekstet e publikuara, sepse jemi të bindur se në asnjë moment nuk kemi shkelur dhe thyer Kodin gazetaresk.
Vetë fakti që BDI nuk shfrytëzon mundësinë e ofruar prej nesh që të reagojë ose demantojë informacionet që kemi botuar, tregon se ata nuk janë të gatshëm të përballen me ne me forcën e argumentit, por me argumentin e forcës.
Për dallim prej BDI-së, ne jemi të gatshëm të përballemi me ta në një proces gjyqësor fer dhe korrekt. Për këtë arsye i kemi bë apel publik kësaj partie që të lëshojë qeverinë dhe kontrollin mbi ministrinë e drejtësisë, sepse vetëm në atë mënyrë do të dëshmojnë se janë të bindur në vetveten dhe të gatshëm të përballemi në Gjykatë si palë të barabarta.
BDI nuk është përgjigjur ndaj këtij apeli dhe kjo len hapësirë për të dyshuar se ata nuk janë të bindur në argumentet e tyre, por dëshirojnë të (keq)përdorin pozicionin e partisë në pushtet.
Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për subjekt që nuk ka ndërmend të përballet si palë e barabartë në gjykatë, ndoshta do të jemi të detyruar që të ndërmarrim masa jashtëgjyqësore. Nëse BDI vendos të përdorë pushtetin dhe gjyqësorin si armë kundër “Lajm”-it edhe ne do të jemi të detyruar të përdorim për vetëmbrojtje “armët” dhe “bombat” që i kemi në disponim.
Prandaj kërkojmë përkrahjen tuaj në këtë betejë të vështirë për mbrojtjen e kauzës gazetareske, nga një parti gjatë qeverisjes së cilës Maqedonia shënoi rënie prej 100 pozicioneve në të gjitha rangimet që bëjnë organizatat relevante evropiane dhe botërore për lirinë e shprehjes.
Ne lidhje me këtë, konsiderojmë të udhës të përkujtojmë dhe paralajmërojmë opinionin vendas dhe bashkësinë ndërkombëtare mbi faktin që këto veprime kundër “Lajm”-it bëhen në të njëjtën kohë deri sa zhvillohen negociatat për reforma të mediave, me pjesëmarrje te gjitha partive te mëdha politike, përfshi BDI, si dhe ne prezencë të bashkësisë ndërkombëtare të përfaqësuar nga negociatori z. Peter Van Haute. Konsiderojmë se kjo sjellje e BDI nuk është fare e rastit, por pjesë e strategjisë se tyre për të heshtur gjitha zërat e mospajtimit dhe kritikës. Gjë që sjell ne pikëpyetje jo vetëm fatin e “Lajm”-it, por edhe të lirisë së shprehjes në përgjithësi dhe censurën e shoqërisë. Prandaj, nuk e konsiderojmë të tepruar bindjen se sulmi frontal nga ana e partisë në Qeveri, BDI, duhet konsideruar si testim i opinionit nga ana e pushtetit për te pranuar censurën, që më pas e njëjta të përdoret edhe ndaj mediave të tjera në vend.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin!