Kurthet e maqedonasve për shqiptarët

54 Lexime
2019-07-16
 

 Shkëlzen Halimi

Vdekja e shpirtërores dhe reinkarnimi i materiales do të jetë dukuria më e veçantë e manipuluesve me emocionet e hallexhinjve. Përvoja ka treguar se ata, të cilëve u vdes shpirtërorja në rrugëtimin drejt përvetësimit të materiales, nuk ngurrojnë të shkelin edhe mbi kufomat që shpesh ishin edhe të gjalla.
Sigurisht se pushteti sa herë që ndjen ndonjë angështim, prodhon “armiq” të jashtëm e të brendshëm, duke e çorientuar vëmendjen e opinionit nga problemet, për të cilat është përgjegjës vetë. Madje, prodhon dhe realizon skenarë të ndryshme për ta paraqitur veten si subjekt i rrezikuar nga qarqe të ndryshme, të cilat nuk mund të “pajtohen” me sukseset e pushtetit.
Fatkeqësisht, periudha e pluralizmit (në Maqedoni) që ishte edhe periudhë e ushtrimit të demokracisë, do të shënohet me shumë ngjarje, që në fakt ishin kurthe të përgatitura me mjeshtri, e në të cilat kapeshin ata për të cilët ishin dedikuar – shqiptarët. Pati shumë viktima shqiptare, shumë të burgosur shqiptarë, kurse zëri i elitave shqiptare në pushtet ishte një zë i heshtur, ose edhe nëse diçka artikulohej me atë zë, kjo shprehej vetëm me disa belbëzime (turpërohen edhe kufomat e gjallë), të cilat shkonin në favor të pushtetit.
Siç do të tregojë koha, të gjitha skenarët do të realizohen dhe ekzekutohen pa dijeni të faktorit shqiptar në pushtet, dëshmi kjo e mjaftueshme për të konstatuar se pala tjetër jo që nuk pati besim te shqiptarët, por ata vazhdimisht i sillte para aktit të kryer. Meqë subjektet shqiptare kurrë nuk u kërcënuan, së paku me largim nga pushtetit pas inskenimeve brutale të skenarëve anti-shqiptare, atëherë interpretimi i vetëm i kësaj gjendje do të jetë se pala shqiptare ishte pjesëmarrëse (pasive) në realizimin e këtyre fatkeqësive ndaj vetë shqiptarëve, që u përshkuan me shumë dhembje, gjak e lot. Edhe në këso raste u tregua se formula “magjike” dhe shumë frytdhënës ishte manipulimi me emocionet./INA