Kosovarit i hiqet shkëmbi nga shpina pasi fitoi shtetësinë zvicerane

46 Lexime

13:12:01                       2017-11-25

 

 

 

Në Komunën e Oftringenit u vërejtën edhe lot, pasi kosovari fitoi shtetësinë zvicerane, i cili kërkesën e ka parashtruar për herë të dytë.

 

„Po ndjehem dhjetë kilogramë më i lehtë“, pohon Lutfi Bajraktari shkurt, pasi asambleja e qytetit e miratoi kërkesën e tij që e bëri për herë të dytë. Në vjeshtë të vitit të kaluar, kërkesa e tij ishte refuzuar pas akuzave të paargumentuara kinse për integrim të pamjaftueshëm dhe delikte. Me këtë rast Lutfi Bajraktari angazhoi një avokate, Kantoni i dha të drejtë, duke e dërguar ankesën në rishqyrtim në asamblenë komunale, për shkak të akuzave të pabaza.

 

Por, seanca e së enjtes nuk shkoi edhe aq lehtë, pasi në te u diskutua ashpër. Lutfiu ishte ulur si spektator, por gjatë dy votimeve është dashur të largohet. Pas argumentimeve të shumta të rishqyrtimit të çështjes, kryetari apartiak i komunës Julius Fischer ka spjeguar: „Rishqyrtimi i dosjes së zotëri Bajraktarit ka dëshmuar se ai i plotëson të gjitha kushtet e duhura. Çështja e shpifjeve ndaj tij do të mund të zgjidhej përmes organave përkatëse qytetare, e jo përmes komunës. Një kontest juridik do të na kushtonte shumë shtrenjtë“, ka pohuar kryetari për „Aargaues Zeitung“, përcjellë „Shtegu.com“.

 

E gjithë procedura për shtetësinë e Lutfi Bajraktarit, taksapaguesve u ka kushtuar deri më tani 4.400 franga zvicerane, ndërsa asambleja nuk e ka ndërment të shpenzojë të holla të tjera. Më në fund, Lutfi Bajraktari buzëqeshi ëmbël dhe i lehtësuar. Mbetet e paqartë nëse ai do të iniciojë ankesë juridike për shpifjet që i janë bërë. (Shtegu.com)