Kosovari poshtërson me vite të tëra policen gjermane

38 Lexime

17:50:47              2016-03-28

 

 

 

Një police federale gjermane ishte keqtrajtuar me vite të tëra nga bashkëshorti i saj. Tani ai ka dalë para drejtësisë gjermane, me akuza se e kishte keqtrajtuar e poshtërsuar.

 

 

 

Katrin M. nuk ka fjalë për ta spjeguar gjendjen e saj. Por, Gjykata e rrethit në Moabit të Berlinit ia parashtron rregullisht pyetjen: „Përse keni qëndruar së bashku me këtë njeri?“.

 

 

 

Admir M. është i ulur në sallën B129 të Gjykatës kriminale në Moabit, vetëm disa metra i larguar nga ajo. Ai gjendet në bankën e të akuzuarve, ndërsa ajo në karrigen e dëshmitares. Kosovari 48-vjeçar akuzohet se pesë vite të tëra ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij të re. Por, ai e kundërshton një gjë të tillë. Dëshmitarë nuk ka. Është një konstelacion klasik: Akuzë dhe kundërakuzë.

 

 

 

Katrin M., është rritur në Freiberg të Saksonisë. Në janar të vitit 1994, atje e kishte njoftuar kosovarin Admir M. Pas gjysmë viti ishin martuar. „Ishte dashuria ime e madhe“, pohon ajo.

 

 

 

Edhe përpos dhunës së ushtruar të kosovarit ndaj saj, ajo nuk e kishte humbur këtë ndjenjë edhe shumë vite. Që para martesës së tyre, Admir M. ia kishte treguar qartë rregullat e tij në mes bashkëshortëve sipas mentalitetit të tij: „Xhentitliteti i tij shumë shpejt përfundoi, pasi sipas tij, gruaja duhet të bëjë atë që e urdhëron burri“, vazhdon Katrin M. „Fillimisht u mundova të shohë përmes gishtërinjve veprimet e tij, por gjendja bëhej gjithnjë e më e padurueshme“.
Përkundër gjithë kësaj, ajo nuk ishte larguar nga kosovari. Në vitin 1996, Katrin M. kishte filluar një trajnim trevjeçar për police. Gjatë javës gjendej në Niedersachsen, ndërsa në fundjavë tek Admir M. në Freiberg. Laboranti i diplomuar i biologjisë nuk kishte punë dhe kjo gjë e bënte arrogant, të frustruar dhe të dyshimtë.

 

 

 

Por, Katrin M. nuk e humbi asnjëherë shpresën se do të bëhej mirë. Në vitin 1999, ajo e përfundoi trajnimin e saj dhe u punësua në Policinë federale gjermane në Berlin. Ajo i gjeti një punë edhe bashkëshortit të saj në aeroportin në Tegel si sigurimth. Fillimisht, Admiri u përmirësua, por kjo gjë nuk zgjati shumë. Ajo e rrëfeu dhunën e tij, nga një dhëmb i thyer, deri te sulmi me thikë, prandaj ajo ishte e detyruar të arratisej në një azil për gra. Por, ajo sërish iu kthye, pasi „filluan disa periudha me trëndafile“, pohon Katrin.

 

 

 

Në vitin 2002, u lindë fëmija i parë nga gjithsej tre. Katrin M. bënte një karrierë të mirë në polici, por ishte e përmbajtur për shkak të gjendjes së saj bashkëshortore. Koleget e saj nuk kishin hetuar ndonjë gjendje të pazakonshme në këtë relacion, bile edhe i kishte mohuar keqtrajtimet nga bashkëshorti. Vetëm njëra nga to, tek e cila Katrin M. ishte strehuar disa herë, e kishte ditur se kjo bashkëshortësi binacionale nuk është duke funksionuar si duhet. Por, edhe asaj nuk i kishte treguar për dhunën e ushtruar nga burri.

 

 

 

Në maj të vitit 2013, ajo largohet nga bashkëshorti. Një vit më vonë, Katrin M. kishte paraqitur kërkesë për falimentim personal, pasi si bashkëshorte ishte pjesë e borxheve të përbashkëta: 90.000 euro, të cilat ishin shpenzuar për veturë dhe udhëtimin në Kosovë. Nga fillimi i këtij viti, ajo paraqiti kërkes për divorc.

 

 

 

Në procesin penal kundër Admir M., ai akuzohet se në periudhën prej gushtit të vitit 2011 e deri në maj të 2013, pesë herë e kishte dhunuar bashkëshorten. Disa herë në banesën e tyre të përbashkët, por edhe gjatë pushimit në Kosovë.

 

 

 

Avokati i Admir M. ka vlerësuar se këto akuza të polices gjermane janë të pabaza. Me siguri se në këtë bashkëshortësi ka pasur keqtrajtim, por jo edhe dhunim, ka pohuar avokati Röder. Prapavija e zënkës është për të fituar të drejtën për përkujdesje të fëmijëve.

 

 

 

Gjykata do t`i verifikojë të gjitha akuzat, ndërsa seanca tjetër pritet të vazhdojë më 7 prill të këtij viti, shkruan „Berliner Morgenpost“, njofton „Shtegu.com“.