Kollporterja gjermane zbulon plaçkitësit nga Ballkani

56 Lexime

13:53:17            2016-01-18

 

 
Kollporterja gjermane i kishte dhënë policisë informatat e duhura. Sipas të dhënave të pronarit të qoshkut, plaçkitësit kishin vjedhur cigare në vlerë prej 15.000 euro nga pika e karburanteve në Kleve të Gjermanisë. Është kjo plaçkitja e dytë vetëm brenda katër ditëve.

 

 

Personat të cilët shpërndajnë gazeta, janë të hershëm dhe frekuentojnë nëpër rrugë, përderisa të tjerët flenë apo edhe plaçkisin. Gabriele Kleinmann (49) është kollportere dhe që në orën tre të mëngjesit ia fillon punës. Njësoj kishte ndodhur edhe gjatë të enjtes, kur ajo e kishte hetuar një kosovar 23-vjeçar dhe një serb 32-vjeçar, duke plaçkitur cigare në vlerë prej 15.000 eurosh në një pikë karburantesh në Kleve, rreth orës 03.15, shkruan „rp-online“, njofton „Shtegu.com“. Kollporterja gjermane i kishte parë të dyshuarit me katër qese të stërmbushura duke u larguar nga qoshku dhe kishte reaguar shumë saktë: Gjermanja 49-vjeçare e kishte alarmuar policinë duke i dhënë informata të sakta për dukjen e plaçkitësve dhe destinacionin nga i cili ishin larguar.

 

 

Policët kishin reaguar shumë shpejt dhe për dhjetë minuta e kishin hetuar një veturë të cilën e ndalojnë dhe e arrestojnë të dyshuarin, pa kurrfarë rezistence. Një patrullë tjetër policore e kishte parë një tjetër person duke hipur në një veturë të llojit „Golf“, ndërsa përshkrimi i shitëses së gazetave iu ishte përshtatur plaçkitësit të dyshuar. Edhe arrestimi i tij ishte bërë pa ndonjë rezistencë.

 

 

Qoshku në pikën e karburanteve ka vazhduar punën, ndërsa edhe Gabriele Kleinmann, e cila policisë gjermane i dha informatat e sakta, ka vazhduar të shpërndajë gazeta. Pronarët e qoshkut i kanë premtuar asaj një dhuratë, „edhe po që se ajo e refuzon“. Për Gabriele Kleinmann jeta ka vazhduar me ritmin e saj. 49-vjeçarja e cila punën e saj e kryen që nga vitit 1997, për here të parë kishte përjetuar një plaçkitje „live“, duke shtuar: „Asnjëherë nuk është monotoni në këtë punë“.