Këtë orë të shqiptarit mund ta blejnë vetëm multimilionerët
20:44:57 2017-06-15
Pasioni i shqiptarit Rexhep Rexhepi për orëtari e kthen në kohën e fëmijërisë në Kosovë, kur babai e kishte vizituar, ndërsa ora e tij mekanike ia kishte zgjuar kurreshtjen. „U mundova ta hapë në disa përpjekje, por pa sukses…“, i përkujton ato çaste Rexhepi. Në Zvicër ka ardhur si dymbëdhjetëvjeçar dhe shumë shpejt u zhyt në kanalet e orëtarisë zvicerane. Pas praktikës së ushtruar tek „Patek Philippe“, e më pas disa vite në sipërmarrje të ndryshme të kësaj zeje, vetëm me 25 vite moshë, në vitin 2012 ai arriti ta lansojë markën personale të orëve „Akrivia“ (që në gjuhën greke do të thotë saktësi).
„Për ne saktësia është prioritet“, pohon Rexhepi. „Gjithçka që mund të bëhet me dorë, ne e bëjmë. Ne me të vërtetë duam ta nderojmë orëtarinë tradicionale“. E formuar pa ndihmën e askujt dhe e vendosur në lagjen Champel, sipërmarrja aktualisht ka të punësuar pesë persona, tre prej të cilëve orëtarë me orar të plotë të punës. Akrivia prodhon rreth njëzet modele unike gjatë tërë vitit, të cilët ua shetë klientëve nëpër Europë, Azi dhe SHBA, për një çmim në mes 79.000 e 240.000 frangave zvicerane.
„Rexhep Rexhepi ka gjetur vend të merituar në trashigiminë e orëtarisë tradicionale zvicerane“, konstaton Serge Maillard, editori i revistës së orëve“Europa Star“. „Aktualisht, shumica e njerëzve janë orientuar në në sektorin `croëdfunding` dhe prodhimit klasik të produktit, ndërsa Rexhepi e ka bërë të kundërtën, duke u fokusuar në zejen e vërtetë, ekskluzivitet dhe serisë së kufizuar“.
„Është Zvicra ajo që më ka dhënë mundësinë e suksesit“, vazhdon më tej orëtari shqiptar, i cili është shumë mirënjohës për mikrpitjen zvicerane. Ai gjithashtu ka shprehur admirimin e tij për gjeneratën e re të kosovarëve të cilët janë etabluar në Zvicër, në një shkrim të „Tribune de Geneve“, përcjellë „Shtegu.com“. „Po vërej shumë vullnet dhe kreativitet tek këta të rinj. Vërtetë është një gjë e mrekullueshme, pasi që mundëson një imazh të mirë të cilin nuk e kemi pasur vite më parë. Në këtë proces, me siguri se futbolli ka luajtur një rol kyç“, ka përfunduar Rexhep Rexhepi.