Këpuctari shqiptar në Bernë është shumë i kërkuar nga zviceranët
Këpucët e lira në Bernë të Zvicrës, nuk e rrezikojnë fare këpuctarin shqiptar Femi Haxhën, me prejardhje nga Gjakova. Punëtoria e tij në qendrën tregtare «Migros» – Zähringem të Bernës, është gjithnjë e vizituar nga banorët vendas dhe shërben si pikëtakim i të bukurës dhe disponimit.
«Ky profesion është traditë familjare nga vendlindja që po e vazhdoj edhe në Zvicër», thotë me krenari Femiu, pas një vizite spontane në këtë qendër tregtare nga ana e Shtegu.com. I ardhur në Zvicër në vitin 2003, ai është duke përçuar traditën familjare të zejes së këpucëtarisë që prej pesë gjeneratave. Një shifër mahnitëse, për të cilën ia kanë lakmi edhe banorët vendas.
Femiu fare nuk shqetësohet për rrezikimin e vendit të tij të punës, me gjithë se këpucët në Zvicër (për shtresën e mesme të qytetarëve) janë shumë të lira.
«Është interesant se zviceranët e çmojnë së tepërmi zejen e këpuctarisë. Edhe pse këpucët janë të lira, megjithatë ata më vizitojnë shumë shpesh dhe më sjellin këpucë për riparim. Kam shumë klientë, tetëdhjetë për qind e të cilëve janë zviceranë. Mund të bëhet një krahasim me artikujt ushqimorë, psh përkundër çmimeve të lira, ata pothuajse fare nuk tregtojnë nëpër tjera shitore të ndryshme, por konsumojnë artikuj nga Migros-i apo Coop-i», pohon Femiu.
Përndryshe, zeja e këpuctarisë në Zvicër nuk është edhe aq e preferuar. Në Zvicrën gjermanofolëse, për çdo vit regjistrohen diku rreth 15 nxënës në këtë drejtim, duke përfshirë këru edhe degën e ortopedisë.