Kampioni botëror Dardan Morina me arenë të re për gladiatorë

66 Lexime

13:31:26               2018-01-24

 

 

Kampionin e shumëfishtë botëror në thai boks nga Ingolstadti i Gjermanisë, Dardan Morina tashmë e njehë e tërë bota. Po që se shqiptari 27-vjeçar nuk futet në ring për të luftuar, medoemos është në rolin e trajnerit. Për momentin, Dardani është duke realizuar ëndrrën e kahmotshme: Në muajin mars të këtij viti do të hapë studion e tij personale.

Dardan Morina është një person shumë i angazhuar. Jo vetëm se duhet rregullisht ta mbrojë titullin e vet si kampion botëror në thai boks, por edhe jashtë ringut ai ka shumë projekte për të realizuar. Kështu pra, vitin e kaluar me sukses e organizoi evenimentin e parë „Gladiator Fight Night“ në teatrin e qytetit Ingolstadt. Së bashku me të vëllain, Gentianin ai ushtron gjatë javës më tepër se 200 të rinj në kick dhe thai boks. Përpos kësaj, Dardani është i përfshirë edhe me punë në ndërtim. Por, kjo nuk është e gjitha: Tani, ai do të realizojë ëndrrën e tij të kahmotshme: Në muajin mars të këtij viti do të hapë studion e tij personale si qendër e uhstrimit të boksit.

„Ideja më lindi disa vite më heret. Tani më është dhënë mundësia që kjo ëndërr të bëhet reale“, pohon Dradani për „Donau Kurier“, përcjellë Shtegu.com. Por, ndryshe nga rrethi ku ai përgatitet intensivisht për kundërshtarët e tij, kësaj radhe fati i doli përpara. „Këtu në afërsi kuptova se një lokal do të lirohet pas 20 vitesh. Rrethanat janë të shkëlqyeshme dhe unë duhet të veproj“, vazhdon më tej Dardani.

Nga fillimi i muajit mars të këtij viti, lokali „Gladiators Gym“ më në fund do të hapet. Por, për momentin, hapësirat e tij janë vetëm një kantier i madh. Për të larguar gjithçka nga lokali, Dardani me vëllain dhe disa miq vullnetarë është dashur të pastrojnë gjatë tërë muajit dhjetor të vitit të kaluar. Qilimat, dyshemetë, tapetat dhe mobiljet e vjetra: „Një punë që na e ka lodhur shpirtin“, pohon Dardani. Tani është duke vazhduar me punimet e mëtejme dhe në fund të muajit shkurt pritet që gjithçka të përfundojë. Pas kësaj, antarët e këtij klubi do të mund ta shijojnë hapësirën prej 300 metrash katrorë. Të gjitha këto kanë kushtuar rreth dhjetë mijë euro, ndërsa zemra e këtij lokali është ringu i boksit.
Pritet që projekti të përfundohet me një shumë gjashtëshifrore. (Shtegu.com)