Ja se si raporton Agjencia franceze AFP për tërmetin e Shkupit
20:25:10 2016-09-17
Tërmeti në Shkup nuk shkaktoi asnjë viktimë, megjithëse nëpër spitale u shtruan rreth 60 persona.
Një varg i tërmeteve ka shkaktuar panik tek popullata e Shkupit, në Maqedoni, gjatë të dielës. Banorët e tij dolën me nxitim nga banesat e veta, pasi në vitin 1963 një tërmet i fortë e kishte shkatërruar qytetin.
Tërmeti nuk ka shkaktuar viktima, megjithëse rreth 60 persona janë shtruar nëpër spitale, për shkak të plagëve të shkaktuara nga paniku.
Ky tërmet shkaktoi dëme, siç janë të çara të mureve apo edhe mobilje të shkatërruara, për shkak të ndërtimit të vjetër të shtëpive, të cilat nuk janë parashikuar tu bëjnë ballë lëvizjeve tektonike. Disa linja telefonike dhe energjia elektrike në disa lagje u ndërprenë, shkruan një gazetar i Agjencisë AFP, transmeton „Shtegu.com“..
„Ishte e tmerrshme… Isha në spital (…), të gjithë dolën nga ndërtesa, edhe pacientët me infusion, të gjithë. Bile as edhe ndonjë infermier apo mjek i vetëm nuk qëndroi brenda“, ka deklaruar qytetarja 53-vjeçare Dani Kavadarska.
„Unë kam jashtzakonisht frikë. Tani gjendem jashtë dhe nuk di se si të veproj. Nuk dua të kthehem në shtëpi, edhe pse ndërtesa ku jetoj është e paraparë t`i rezistojë tërmetit“, pohon 79-vjeçarja Mirjana Jovanovska, e cila përkujton tërmetin e fuqishëm të vitit 1963.
Pas disa dridhjeve më të lehta, Shkupin e godet një dridhje e fuqishme rreth orës 15.10, me një intensitet prej 5,3 shkallëve, sipas Institutit të seismologjisë maqedonase. Epiqendra e tërmetit ka qenë shtatë kilometra në lindje të qytetit. Në vazhdim të ditës, janë ndier edhe shumë dridhje me intensitet më të dobët.
Tërmeti i vitit 1963 kishte shkaktuar 1.110 të vdekur, duke shkatërruar një pjesë të madhe të qytetit.