Për të marrë kompensim nga sigurimi invalidor zviceran SUVA, një kosovar shpiku aksidente të rreme në emër të punonjësve të dyshuar të kompanive të falimentuara të ndërtimit.
Një rrjet ballkanik i lidhur me një mashtrim të madh të përfitimeve të papunësisë në ndërtim, gjithashtu ka inskenuar edhe aksidente të rreme pune, për të mashtruar siguruesin kryesor të aksidenteve në Zvicër, SUVA. Një kosovar sapo është dënuar me një gjobë me kusht me 50 mëditje pune, për një periudhë provuese prej tre vitesh.
Me dy bashkëpunëtorë të tjerë, të sjellur veçmas në gjykatë, ai kishte deklaruar „shumë aksidente“ të rreme në sigurim, në emër të ndërmarrjeve të falimentuara të ndërtimit, shkruajnë mediat frankofone zvicerane, përcjell Shtegu.com.
Prokurori Gabriel Moret, procesin e ka përsdkruar në dosjen e tij. Për shembull, në vitin 2013, një kompani e falimentuar e Broye kishte njoftuar për një aksident në një kantier ndërtimi në Gjenevë. Nga vendi i ngjarjes së aksidentit e deri në një sërë ngjarjesh, përfshirë statusin e „punonjësit“, gjithçka nuk ishte në rregull përveç lëndimit, i cili ndodhi në rrethana të tjera, dhe certifikatës mjekësore përkatëse. Mashtruesi thjesht pretendoi se sapo kishte punësuar personin në fjalë.
Kështu SUVA i mbuloi tre javë ditë pune dhe 7,000 franga përfunduan në xhepin e kosovarit. Ky i fundit përsëri deklaroi edhe tre herë, përsëri për aksidente në të njëjtin „kantier ndërtimi“, siç ka nënvizuar prokurori. Nga ana tjetër, edhe gjykatësi nuk iu besoi mohimeve të kosovarit të dënuar.
Fatkeqësisht, ky nuk është një rast i izoluar: SUVA po përballet me një ngritje në këtë lloj mashtrimi. Në vitin 2018 janë analizuar 1,727 dosje të dyshimta, 35 për qind më shumë se një vit më parë. Në këtë mënyrë, është mënjanuar pagesa jo e rregullt e 17.3 milionë frangave (4.8 milionë më shumë se në vitin 2017).
Që nga viti 2007, masat e marra për të luftuar mashtrimin kanë kursyer 164 milion franga, tha zëdhënësi i SUVA-s, Jean-Luc Alt.

