Ja çfarë ndodhë kur politikani zviceran tejkalon shpejtësinë
12:01:38 2017-07-03
Politikani nga Wohleni i Zvicrës, Paul Huwiler para disa ditësh është hetuar duke vozitur veturën e tij me shpejtësi prej 144 km/h në afërsi të lokacionit Kelleramt, por jashtë vendbanimit. Aktualisht, atij i është konfiskuar patenta e shoferit dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal, pasi është cilësuar si „vozitës i egër“.
„U pata vonuar dhe nuk dëshiroja t`i lë njerëzit të presin“, ka argumentuar nënkryetari i Komunës Wohlen, Paul Huwiler, shpejtësinë e tij marramendëse. Për të parandaluar thashethëniet e ndryshme, ai ka pranuar për të përditshmen zvicerane „Aargauer Zeitung“ se e ka tejkaluar shpejtësinë për të arritur në një termin zyrtar, përcjellë „Shtegu.com“. „Po, kam hasur në një kontroll duke shpejtuar në takim. Për këtë, ndaj meje është ngritur kallëzim penal“, ka pohuar politikani zviceran.
Atij i vjen keq që ka vozitur shpejt, duke kërkuar falje publikisht. Gjithashtu, ai ka kërkuar falje që nuk mund të japë më tepër informata lidhur me rastin. Sipas një komunikate të policisë së Kantonit Aargau, pasditen e së premtes të 23 qershorit, në relacionin në mes të Oberlunkhofen dhe Arni, Paul Huwiler është hetuar nga radari duke vozitur me shpejtësi prej 144 km/h. Policia zvicerane e ka ndaluar dhe e ka informuar Prokurorinë Muri-Bremgarten për tejkalim të shpejtësisë prej 60 km më tepër. Kjo e fundit ka ngritur kallëzim penal sipas artikullit 90, nenit 3 të Ligjit për komunikacion, i cili është i njohur edhe si „artikulli i vozitësve të egër“.
Policia zvicerane ia ka konfiskuar patentën e shoferit dhe fillimisht edhe veturën. Por, më vonë vetura i është kthyer sërish. Paul Huwiler ka spjeguar se veprimi i tij është i paarsyeshëm, duke potencuar se nuk është „vozitës i egër“. „Për mua do të ketë pasoja të rënda dhe jam në gjendje t`i mbajë, pasi vërtetë e tejkalova shpejtësinë“, ka përfunduar politikani zviceran.