Ish ministri Janakievski kaloi natën në burgun e Shutkës
Avokatët janë duke i përgatitur ankesat për tetë personat për të cilët mbrëmë u shqiptua masa e paraburgimit në hetimin e fundit të Prokurorisë për krim të organizuar.
Nga burgu i Shutkës për Alsat konfirmuan se ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski dhe shtatë personatë tjerë mbrëmë janë sjellë për vuajtjen e paraburgimit 30 ditorë.
Paraprakisht kur Janakieski dhe Spiro Ristovski u sollën në paraburgim si të dyshuar për organizimin e “ngjarjeve të përgjakshme” në Parlamentar, që të dy u sulmuan fizikisht. Nga burgu thonë se po ndërmerren të gjitha masat e duhura që kjo të mos përsëritet.
Ndryshe, Janakieski deri më tani disa herë ka hyrë dhe ka dalë nga paraburgimi si i dyshuar në disa raste. Deri në shqiptimin e vendimit të djeshëm, ai ishte në arrest shtëpiak.
Avokati Aleksandar Tumanovski sqaron se në rast të këtillë, në fuqi mbetet masa më e ashpër ndërsa arresti shtëpiak duhet të shfuqizohet.
Kur veç më ndaj personit të caktuar ka masë të caktuar, siç është arresti shtëpiak, kjo mund të kombinohet me masa të tjera, por nuk mundet me masën më të rëndë siç është paraburgimi. Në një situatë të këtillë, konsideroj se gjykata është dashur ta shfuqizojë masën paraprake “arrest shtëpiak”, që të mund ta shqiptojë masën më të ashpër apo paraburgimin”-tha Aleksandar Tumanovski, avokat.
Nga VMRO DPMNE-ja opozitare edhe sot reaguan ndaj arrestimeve të djeshme duke thënë se paraburgimet janë të porositura politikisht, ku kërkuan shfuqizim të dënim dhe zëvendësimin me një masë më të butë.
Është e qartë si dita se paraburgimi është përcaktim politik që të përmbushet kërkesa e prokurorisë politike që çdo ditë tregon se është këtu për t’i mbyllur sytë dhe për ta mbrojtur krimin e Zaevit dhe duke i përmbushur porositë e tij”-pohoi Igor Bozhinovski nga VMRO DPMNE.
Për rastin, në Facebook reagoi edhe i arratisuri Nikolla Gruevski. Në postimin e tij me titull “Arrestimet për shpërqendrimin e zhvatjes, krimit, papunësisë dhe tradhtive të pushtetit”, ai citoi Dostoevskin: “Me çfarëdo që ta mbulosh pisllëkun, ajo përsëri mbetet pisllëk”.
Krahas tetë personave që gjenden në paraburgim, mbrëmë janë arrestuar edhe dy persona ndaj të cilëve janë shqiptuar masa kujdesi. Të gjithë dyshohen se kanë dëmtuar arkën e shtetit për 2,6 milionë euro gjatë shitjes së katër lokacione tërheqëse ndërtimore në qendër të Shkupit.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë mundësuar lokacione tërheqëse të blejnë persona që nuk i kanë plotësuar kushtet ndërsa në këto lokacione është dashur të ndërtohen hotele në bregun e lumit Vardar, si dhe ndërtimi i të ashtuquajturve “Shkallët spanjolle” në shesin e Shkupit./ALSAT/