Havzi Nela, poeti që e varën se e deshi lirinë

63 Lexime

Havzi Nela, mësuesi e poeti kryengritës kuksian, përmbyll kalvarin e gjatë të persekutimit mizor që i janë bërë kësaj treve e konkretisht zonës „Dollovisht“. I lindur më 24 Shkurt 1934 në fshatin Kollovoz, në jetëshkrimin e tij për nga veçoria që e karakterizon përbën një rast unikal, ku vihen përballë njëra-tjetrës njerëzorja me dhunën, shpirti prej demokrati me diktatin komunist, liria me litarin.

Djaloshi nga Kollovozi gjithsesi që në moshë të re, i ndikuar dhe nga varfëria e tejskajshme e familjes së tij dhe të tjerave përreth saj, do të gjej më të mundëshmen për t’iu kundërvënë këtij fati. E më e mundshmja ishin, arratisja për një jetë më ndryshe, ishin ato shënime në disa fletore, që askush përveç tij nuk mund t’i kish shkruar, shënime të cilat qartazi dëshmojnë ndjeshmërinë dhe pasurinë shpirtërore të tij. Nëpërmjet kësaj ndjeshmërie, nëpërmjet këtij komunikimi e dialogu me vetveten në qelitë e burgut Havzi Nela, nuk kish bërë tjetër, vecse cdo ditë që kalonte po faktonte atë çka ai kish ndjerë për kohën në të cilën jetonte, po faktonte atë të cilën veçse ndërgjegjja e shpirti i tij prej poeti e kish parashikuar.

Pasi kish kryer shkollën e mesme për mësonjës në Shkodër, në profesionin mësues Havzi Nela, nis punë në rrethin malor të Matit në shkollën fillore në Plan të Bardhë. Këtu ai përjashtohet nga mësuesia për krijime letrare të dënueshme. I detyruar, ai do të vijonte të kryente shërbimin ushtarak në Elbasan. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, nga ku duket se për, të ishte harruar sadopak, vazhdon të kryej detyrën e mësuesit në Krumë, Shishtavec e Topojan, njëherësh pa shkëputje nga puna vazhdon të ndjekë studimet e larta.

Novosej, fshati ngjitur me Kollovozin masivisht iu kundërvu betejës për kolektivizim. Kur në atë kohë iu raportua Enver Hoxhës për kooperativat në veri, ndër të tjera u tha se „Berlini kish rënë“. Kështu u quajt fshati ngjitur me vendlindjen e Havzi Nelës. Pikërisht menjëherë pas kësaj me dhjetëra familje nga kjo zonë detyrohen të braktisin dheun e tyre për të emigruar drejt ish-Jugosllavisë e më vonë në Belgjikë për të formuar sot komunitetin më të madh të emigrantëve shqiptarë në Ferizaj të Kosovës e në Bruksel.

Edhe martiri që e deshi lirinë Havzi Nela së bashku me bashkëshorten e tij Lavdijen, arratisen në ish-Jugosllavi. Në momentin kur ai po kalonte kufirin nxjerr lapsin dhe një copë letër ku në të shkruan „Lamtumirë Atdhe i dashun, po të lë me zemër plasun“ Këtë letër ai e vendos në degën e një lajthie, letër të cilën më vonë e gjejnë dhe e dorëzojnë ushtarët roje të kufirit. Arratisja e Havzi Nelës ndodh menjëherë pas mbledhjes së Shishtavecit, ku ai kish shfaqur qëndrimin e tij kundër vendimeve që po merreshin në këtë takim. Ndoshta pikërisht kjo ka ndikuar që sigurimi i shtetit i asaj kohe të vihet shpejt në lëvizje.

Qëndrimi në arrati i Havzi Nelës dhe bashkëshortes së tij nuk zgjat më shumë se dy javë, pasi atë e kthejnë sërish në Kukës në këmbim të kosovarëve që Shqipëria duhej t’ia dorëzonte UDB-së. Pas kësaj arratisje Havzi Nela dënohet me 15 vjet heqje lirie, ku këtë dënimin ai do ta kryente në burgjet famëkeqe të diktaturës.

Në vitin 1986 ai pasi vuan plot 19 vjet heqje lirie, nxirret nga burgu, por gjithësesi për të mos qenë i lirë si të gjithë të tjerët në „liri“. Internimi dhjetëmuajsh në malet e Arrnit, nuk përbën ndonjë sadisfaksion për këtë njeri luftëtar, simbol i lirisë së ëndërruar.

Më 24 Qershor 1988 Havzi Nela dënohet me vdekje. Në sallën e gjyqit Havzi Nela sërish kërkoi drejtësi dhe jo mëshirë. Sigurisht që askush prej atyre që po e dënonin poetin nuk kishte mëshirë, sigurisht që ai më mirë se askush e kuptonte që ata njerëz që kish përballë dhe predikonin drejtësi po bënin gati „kurbanin“ e radhës, për t’u falënderuar nga udhëheqja dhe udhëheqësi.

Ekzekutorët nuk kishin si të prisnin gjatë. Në mënyrë të zellshme po kaq dhe mizorisht, në orët e para të 10 gushtit 1988, në një shesh të populluar të qytetit të Kukësit, kryejnë aktin makabër dhe të shëmtuar. Disidenti, mësonjësi dhe poeti, tashmë varur në litar, dëshmon pamëshirshmërinë e atij sistemi që çuditërisht ende mbahej në këmbë. I varur simboli i fjalës së lirë dukej sikur u thoshte mijëra syve që e shihnin „Ja ku jam unë armiku juaj! Mos provoni të mendoni, apo të bëni siç bëra unë, pasi këtë fat mund të provoni dhe ju! Tashmë ai prehet në fshatin e tij të lindjes dhe i është dhënë titulli „Nderi i Qarkut të Kukësit“, ndërsa shkollës 9-vjeçare në fshatin e lindjes se tij i është vënë emri i poetit liridashës.

© ZHURNAL.mk