Gostivar: Adnan Agai, nacionalisti dhe armiku i ish Jugosllavisë

150 Lexime

10:38:00                 2018-03-20

 

 

Në Gostivar vepronte organizata ilegale “Shkëndija”, në krye me Murtezan Bajraktarin, Adnan Again, Xhemal Pozharanin, Hadi Imamin, Nehat Ballçishta, Xhelal Lushi, Karaman Allajbegu, Luan Sadiku-Starova etj. Krahas Tetovës dhe Gostivarit, aktivitete ilegale pati edhe në rrethin e Shkupit, ku duhet veçuar veprimtarinë atdhetare të vëllezërve Memedali dhe Eshtref Hoxha, pastaj të Isak Çavollit, Sejdi Rauf Bajramit, Mateja Sereçit, Engjëll Gjinit, Sadik Vraniçit, Mehdi Bajraktarit, Mysherefe Prekës, Rifat Palloshit etj.

Në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, Qeveria komuniste e Federatës jugosllave, hartoi një sërë plane sekrete të cilat për qëllim patën dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve për në Turqi. Për zbatimin sa më parë të këtyre planeve, në qershor të vitit 1951, një ekip i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku mbajti disa takime me komitetet e vendit të PKM-së, sidomos në pjesën Veriperëndimore të saj. Ekipi në fjalë, në raportin që ia dërgoi KQ të PKJ-së, do të konstatoj se: “në Maqedoninë Veriperëndimore, sidomos në qytetet: Tetovë, Gostivar dhe Strugë, numri më i madh i popullsisë myslimane janë turq dhe se në ato vise duhet të hapen shkolla turke”.

Të fundit nga Histori
Histori
Arbërit dhe Europa e shekujve X-XI
Histori
Më 14 mars 1879 lindi Albert Einstein, fizikan gjenial
Histori
Bekim Berisha ishte i vlefshëm sa 500 ushtarë kroatë
Nuk vonoi shumë, Byroja Politike e KQ të PKM-së, formoi një Komision në krye me Kërste Cërvenkovski, ndërsa në të merrnin pjesë edhe: Mito Temenugov, Reiz Shaqiri, Boge Kuzmanovski, Tome Buklevski – Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Nga data 17.01.1952 – 03.02.1952, Komisioni vizitoi rrethet e Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës, Kërçovës, Kumanovës, Gjorçe Petrovit dhe Resnjës. Në kuadër të atyre vizitave, ata organizuan takime të shumta me komitetet e rretheve, organizatat bazë, organizatat masive, me mësuesit shqiptarë, me shoqëritë kulturo-artistike etj. Në bazë të informacioneve që mori, Komisioni hartoi një analizë (elaborat), që do të shqyrtohet në Byronë Politike të KQ PKM-së, në mbledhjen e zgjeruar, mbajtur më 29 shkurt 1952. Në të, veç tjerash shqiptarët paraqiteshin si ardhacak, të cilët në këto vise ishin vendosur duke e përdorur “dhunën dhe terrorin ndaj elementeve autoktone sllave (maqedonase)”, se ata ishin: “fundamentalistë islamikë, shqiptaro-mëdhenj, fashistë, terroristë, shovinistë, banditë, reaksionarë” dhe njollosje të tjera, të cilat sipas analizës: “pushteti popullor maqedonas duhet të ndërmerr masa kundër tyre”.

Ngjashëm si në raportin e Komisionit të KQ LKJ-së, edhe këtu vihej në dukje se “pjesa dërmuese e popullatës myslimane në Maqedoninë Perëndimore është turke…”. Hapja e shkollave turke në dëm të shkollave shqipe, shkaktoi reagime dhe kundërshtime të ashpra nga ana e mësuesve shqiptarë. Komisioni për Arsim dhe Kulturë pranë Byrosë Politike, njoftonte KQ të LKM-së, për kundërshtimet e mësuesve shqiptarë që të jepnin mësim në shkollat turke.

Duke u mbështetur në burimet arkivore, e tërë veprimtaria e mësuesve shqiptarë në atë kohë do të përqendrohet në vetëdijesimin e popullsisë, ku në mënyrë të qartë do t’ju thuhet se ato janë shqiptarë, se kjo tokë është shqiptare dhe se nuk duhet të shpërngulen në Turqi. Në fakt, kjo veprimtari, ishte vazhdimësia e politikës së “NDSH”, e krijuar që nga viti 1945, në krye të së cilës tash do të jenë kryesisht mësuesit si: Mehmetriza Murtezan Gega, Abdulla Kalishta, Murtezan Bajraktari, Adnan Agai, Eshtref Hoxha, Luan Sadiku-Starova, Xhelal Lushi, Nehat Ballçishta, Karaman Allajbegu, Hadi Imami, Memedali Hoxha, Muharem Jusufi, Abdylazim Taravari, Abdyrahim Taravari, Sherafedin Agai, Naxhi Purde, Burhan Pasholli e shumë e shumë të tjerë.

Për besueshmëri ndaj organizatës si edhe për veprimtarinë në të, anëtarët paraprakisht betoheshin, përmbajtja e së cilës ishte si vijon: “Unë si shqiptar gjithmonë do të jem i gatshëm të luftoj për bashkimin e gjithë shqiptarëve në një Shqipëri të vërtetë, posaçërisht për ata Shqiptarë të cilët janë nën robërinë e sllavëve. Gjithmonë do ta kem parasysh luftën kundër secilit tradhtar të kombit shqiptar dhe do t’i ruaj interesat e kombit shqiptar”.

Duhet të vëmë në dukje se për shkaqe sigurie, mësuesit shqiptar vendosën që veprimtaria e tyre ilegale të shtrihet në grupe më të vogla, përkatësisht organizata ilegale të mbaj disa emra. Kështu deri në vitin 1952, në Tetovë vepronte organizata ilegale “Lria”, në krye të së cilës ishte Sadudin Gjura. Me burgosjen e Gjurës dhe dhjetë bashkëveprimtarët më të ngushtë të tij, veprimtaria e mësuesve shqiptar nuk u shua, përkundrazi ajo vazhdoi, me një dallim që tashti organizata e tyre mori emrin “Shpresa”, me të cilën udhëhiqte atdhetari i mirënjohur shqiptar Mehmetriza Murtezan-Gega, ndërsa krahas tij për nga aktiviteti do të dallohen edhe Abdulla Kalishta, Ismail Seiti, Gani Luma, Selim Shehapi, Rexhep Beadini, Hysen Xhaferi, Ismail Xhaferi, Idriz Ibraimi-Cërcëri etj. Në Gostivar vepronte organizata ilegale “Shkëndija”, në krye me Murtezan Bajraktarin, Adnan Again, Xhemal Pozharanin, Hadi Imamin, Nehat Ballçishta, Xhelal Lushi, Karaman Allajbegu, Luan Sadiku-Starova etj. Krahas Tetovës dhe Gostivarit, aktivitete ilegale pati edhe në rrethin e Shkupit, ku duhet veçuar veprimtarinë atdhetare të vëllezërve Memedali dhe Eshtref Hoxha, pastaj të Isak Çavollit, Sejdi Rauf Bajramit, Mateja Sereçit, Engjëll Gjinit, Sadik Vraniçit, Mehdi Bajraktarit, Mysherefe Prekës, Rifat Palloshit etj.

Për të parë më së afërmi rolin e inteligjencës së atëhershme shqiptare në pengimin e turqizimit, përkatësisht shpërnguljes së shqiptarëve nga këto treva për në Republikën e Turqisë, në vazhdim po e botojmë një dokument, i cili hedhë dritë mbi veprimtarinë atdhetare të doajenit të arsimit shqiptar të këtyre trevave, prof. Adnan Agait, gjatë periudhës kohore 1951-1955. Dokumenti është hartuar më 3 qershor 1956 nga shërbimi sekret maqedonase, UDB-ë. Titulli origjinal i tij është: “Vështrim mbi aktivitetin armiqësor të Adnan Agait në periudhën 1951-1955”. I njëjti botohet i plotë dhe për herë të parë. (Tetova1)