Është shtyrë për të tretën herë gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri. Seanca e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë është përcaktuar për më 22 korrik.
Kjo situatë ka sjellë reagimin e ashpër të ish-ministrit Tahiri, i cili e konsideroi qesharake dhe kritikoi organizimin në Prokurori.
“Ju jeni dëshmitarë se ky proces është shtyrë për të tretën herë. Edhe një çerdhe është më e organizuar se kaq. Nuk e di si mund të ndodhë që të humbasin letrat në prokurori ku ka një protokoll, ku ka një sistem… Nuk e di se çfarë sistemi është ky. Me këto letra Prokuroria kërkoi arrestimin tim. Sot i kanë humbur? Kjo është qesharake. Nuk dua t’ja di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëzor. Nëse është e qëllimshme është e keqja më e vogël…”, tha Tahiri.
Ish-ministri tha se është e tepërt që gjyqi të shtyhet për të tretën herë.
“Ato janë prova në favorim tim. Unë po heq dorë nga disa dëshmi që janë në favorin tim, por mjafton të mos shtyhet. Sot letrat me të cilat iu kërkua Parlamentit arrestimi im, janë zhdukur. Ministria e Drejtësisë i ka sjellë përgjigjet në Prokurori, përkthimet në prokurori. E quaj të tepërt të shtyhet gjyqi për herën e tretë. Është skandaloze, është poshtëruese për drejtësinë”, u shpreh Tahiri.

