Një gjobë prej 250 frangash për ata që nuk pranojnë të mbajnë maskë: Prokurorët publikë duan gjoba në të gjithë Zvicrën
Kushdo që në të ardhmen shkel masat e koronavirusit do të sanksionohet njësoj në të gjithë Zvicrën. Konferenca e prokurorëve publikë zviceranë (SSK) po punon për një zgjidhje për tërë territorin zviceran.
„Ne kemi konstatuar se ka ndryshime të mëdha midis rajoneve të ndryshme“, thotë Fabien Gasser, prokuror publik në kantonin e Fribourg dhe nënkryetar i SSK për „Radio RTS“, informon Shtegu.com. Sanksionet duhet të harmonizohen në të gjithë Zvicrën. „Ne po flasim për gjobitje në një shumë prej 250 frangash për ata që nuk mbajnë një maskë atje ku është e detyrueshme“, vazhdoi Gasser. Organizatorët që nuk i përmbahen koncepteve të mbrojtjes gjobiten nga 2 000 deri në 2 500 franga.
Kantonet aktualisht janë përgjegjëse për sanksionet. Sipas Ligjit të epidemive, atyre u takon të ndjekin penalisht dhe gjykojnë veprat penale.

