Gjermania dëbon brutalisht shtatzanen shqiptare që bashkëjetonte me irakienin

73 Lexime

12:55:59                  2019-04-27

 

 

Të martën, një shtatzane shqiptare është dëbuar nga Shtutgarti, në një mënyrë brutale. Avokati i saj është duke shqyrtuar mundësinë e parashtrimit të një ankese kundër policëve të përfshirë, për shkaktim të lëndimeve trupore, shkruan „Focus“, përcjell Shtegu.com. Por, policia e ka mohuar dhunën e tepruar në këtë rast. Autoritetet me sa duket kanë dashur ta zbatojnë sa më shpejt dëbimin, pasi shqiptarja ishte në fazën më të lartë të shtatzanisë.

Çdo gjë është realizuar shumë shpejt të martën. Rreth orës 02.00 të mëngjesit, shtatë deri në tetë policë, duke përfshirë edhe mbikëqyrjen mjekësore, janë futur në banesën e mikut të klientes së tij në Shtutgart, thotë avokati Engin Sanli për Focus Online. Policia ka dashur të zbatojë dëbimin e shqiptares 34-vjeçare së bashku me të bijën e saj 15-vjeçare, ka pohuar avokati.

Por, edhe pse klientja e tij ishte në muajin e tetë të shtatzanisë dhe autoritetet e dinin se është një shtatzëni me rrezik të lartë, policia i kishte hedhur ato „brutalisht“ përtoke, duke ua vendosur prangat dhe pastaj duke i zvarritur nga banesa deri te vetura e policisë“, thotë Sanli.

Nëna e ardhshme kishte pësuar disa hematome dhe abrazion të lëkurës. Vajza e saj pesëmbëdhjetë vjeçare ishte „tmerruar“ gjatë largimit nga banesa, thotë Sanli. Të dy shqiptaret u dërguan të njëjtën natë në aeroportin në Frankfurt am Main.

Autoritetet përgjegjëse për dëbimet në Baden-Wuerttemberg kanë deklaruar se avioni ishte nisur nga Frankfurti në ora 09:48 në drejtim të Shqipërisë. Avokati gjerman ka akuzuar se afati i dëbimit të shqiptareve ka qenë shumë i vogël dhe ai vonë e kishte kuptuar dëbimin e tyre.

Por, policia gjermane i ka mohuar të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se gjithçka ka shkuar sipas rregullores. Gjatë dëbimit, shqiptaret kanë qenë të shoqëruara nga një mjek, informon më tej Shtegu.com.

Sipas Sanlit, shqiptarja në Gjermani kishte ardhur katër vite më parë dhe kërkoi azil. Aplikimi iu refuzua përfundimisht në fund të marsit 2018. Në shtator ajo ngeli shtatzanë nga miku i saj irakian, i cili gjithashtu jetonte me vajzën e saj 15-vjeçare.

Ndërsa irakieni kishte leje qëndrimi, shqiptares iu dha vetëm një „duldung“. „Ai përfundoi të hënën e Pashkëve në ora 24.00 dhe është dashur të prolongohej të martën. Autoritetet kanë përfituar nga ky afat i shkurtër kohor“, thotë Sanli. Sipas avokatit, dëbimi nuk është dashur të realizohet për shkak të shtatzanisë me rrezikshmëri të lartë.

Për shtatzanitë jo të rrezikshme, ekziston një ndalim deportimi për nënat shtatzana duke filluar nga gjashtë javë para lindjes. Lindja e fëmijës së dytë nga mjekët ishte paraparë më 14 qershor. Kjo do të thotë se një deportim nga 3 maji nuk do të ketë qenë i mundur dhe amësia do të kishte vazhduar edhe tetë javë pas lindjes, spjegon Sanli.

Vajza 15-vjeçare ka qenë duke vijuar klasën e shtatë në një shkollë fillore në kohën e dëbimit. Sipas Sanlit, ajo është „e integruar mirë dhe flet gjuhën gjermane“. Edhe e ëma e kishte gjetur një vend pune, por ishte penguar nga autoritetet përkatëse, përcjell Shtegu.com. Përveç kësaj, avokati sheh një tjetër pengesë ligjore për dëbimin në „mbrojtjen e martesës dhe familjes“ e garantuar me Ligjin themelor, i cili ishte „dëmtuar në mënyrë disproporcionale“ nga dëbimi, pasi nëna e ardhshme ishte ndarë nga babai i fëmijës së saj.

Sanli ende nuk ka pasur rast të flasë me klienten e tij për dëbimin dhe për këtë arsye ai nuk e di se si është gjendja e saj aktualisht.