17:45:13 2016-02-19
Musa Mustafa nga Kosova, në ekipin profesionist të zjarrfikësve në Bredstedt të Gjermanisë, është duke u angazhuar në mënyrë vullnetare. Aty u aktivizua në mënyrë spontane, ndërsa vitin e ardhshëm pritet të përfundojë vitin e parë të praktikës.
Musa Mustafa jeton vetëm disa hapa larg hapësirave të ekipit zjarrfikës të Bredstedtit në Gjermani. Po sa të aktivizohet alarmi, kosovari 41-vjeçar arrin i pari në vend dhe është i gatshëm të veprojë.
„Me këtë, Musa na e shton dukshëm disponimin tonë të përditshëm“, deklaron udhëheqësi i eikipit të zjarrfikësve, Kai Lorenzen. Në raste të rrezikshme nuk bëhet fjalë vetëm për pjesë të sekondës, por edhe për një dorë ndihmëse më tepër. Ekipi ka 70 anëtarë vullnetarë në Bredstedt, si dhe 28 të reja e të rinj në sektorin për të rinj.
Musa Mustafa, i cili me familjen e tij kishte ardhur nga Kosova gjatë verës së kaluar, nuk është zjarrfikës i diplomuar, por i dhënë shumë pas këtij profesioni. Por, ai për çdo ditë mëson diçka. Dhe porsa ta përfundojë kursin e gjuhës gjermane, ai do të fillojë me praktikë. Me gjithë këtë, ai ka zënë një vend të rëndësishëm në ekip. „Pasi Musa nuk ka frikë nga lartësitë, ne e kemi caktuar në ekipin e ngjitjes nëpër shkallë, ndërsa gjuha në këto raste nuk luan edhe aq shumë rol“, ka deklaruar shefi i grupit Heiko Borchers, për „shz.de“, njofton „Shtegu.com“.
Por, Musa është duke e kaluar edhe këtë pengesë, pasi së bashku me bashkëshorten Rifadijen, janë duke përfunduar kursin e gjuhës gjermane në Bredstedt: „Rifadija ka punuar në një azil për pleq, ndërsa unë në një sipërmarrje në Bordelum. Përpos kësaj, unë ndihmoj edhe në ekipin e zjarrfikësve dhe ndonjëherë luaj edhe volejboll“, spjegon me krenari Musa për aktivitetet e tij.
„Më mirë se kështu, nuk mund të funksionojë integrimi i azilantëve“, ka pohuar përgjegjësi Kurt Viertel, i cili me gjithë dëshirë do të shihte në këtë mes edhe më tepër azilkërkues. Musa Mustafa rastësisht ishte kyçur në ekipin e zjarrfikësve, pasi fillimisht ai e kishte dërguar të birin Albertin (10) në ekipin junior. Në pyetjen, „a dëshiron të kyçesh edhe ti në ekipin tonë?“, babai ishte menduar shkurt dhe menjëherë kishte pranuar, informon Kai Lorenzen.
Dhe pasi shefi ishte siguruar se Musa i plotëson të gjitha kushtet për të ushtruar këtë profesion, ai vishet me rrobet zyrtare të zjarrfikësve. Në këtë mënyrë, babai dhe i biri Alberti kanë gjetur një hobi të përbashkët, me ç`rast po përjetojnë gjëra dhe aksione të përbashkëta. Alberti, i cili shumë shpejt ka mësuar gjuhën gjermane dhe është integruar shkëlqyeshëm në klasën e tij, ndonjëherë është i detyruar të punojë edhe si përkthyes. Por, kjo nuk do të zgjatë shumë kohë, pasi është çështje e kohës se kur babai do të merret vesh edhe pa ndihmën e djalit. Alberti është duke menduar që edhe motrën e tij të vogël shtatëvjeçare ta kyç në ekipin e zjarrfikësve, por është duke pritur edhe pak kohë sa të rritet edhe pak. „Ne e duam Bredstedtin, duam të qëndrojmë këtu“, kanë përfunduar të dy, duke i falënderuar të gjithë ata që janë përkujdesur për familjen Mustafa.

