Gazetari i Gazeta Express rrëfen për „Die Zeit“: Edhe ty do ta heqim kokën
10:07:43 2016-01-20
Si gazetar në Kosovë, ai shkruante për rekrutimin e luftëtarëve për ISIS-in. Pas kërcënimeve me vdekje, Visar Duriqi erdhi në Gjermani, duke mos i besuar shtetit të vet.
„Ata kanë blerë armë dhe do të shfrytëzohen vetëm për atentate e për asgjë tjetër“, pohon Visari. Edhe personalisht, ai ishte caku i tyre: „Dy islamistë planifikonin të më vrisnin, mua dhe dy parlamentarë“. Për çdo ditë e kishin përcjellur, gjithnjë me veturë tjetër. Kanë qenë përkrahës të një imami ekstremist nga kryeqyteti, Prishtina, prej të cilëve njëri kishte punuar si qiradhënës i veturave, ndërsa tjetri si floktar.
Por, prej nga e di Visari? Shërbimi sekret i Kosovës ka mundur ta parandalojë atentatin. Megjithatë, ai nuk dëshiron të mbështetet në autoritetet e vendlindjes: „Shumica e islamistëve kanë depërtuar në institucionet e sigurisë, duke mbrojtur ekstremistët“.
Kosovari i ri një kohë të gjatë ishte ballafaquar me kërcënime. Pas shkollimit të tij si imam, ai filloi punën si gazetar në gazetën „Express“, në projekte investiguese. Duriqi ka qenë përgjegjës për informimin mbi islamistët, ndërsa nga temat më kryesore ka qenë rekrutimi i luftëtarëve për „Shtetin islamik“ në Kosovë. Me këtë, ai krijoi armiq të shumtë, ndërsa situata eskaloi në verë të vitit 2014, kur organizata radikal islamiste „Muslim Youth Forum“, startoi një fushatë kundër tij.
Ata e fajësuan Visarin se nëpër gjithë vendin po arrestohen islamistët dhe prej atëherë ka pranuar mijëra kërcënime. „Disa njerëz më ndalnin në rrugë dhe më thonin se unë jam djall, pasi i urrej myslimanët“, deklaron Visari për „Die Zeit“, njfton „Shtegu.com“. Më e keqja i ndodhi pas vrasjeve makabre me heqje kokash të pengjeve nga ISIS-i: „Edhe ty do ta heqim kokën“, e kishin kërcënuar shpeshë.
Kërkesa për mrojtje personale, të cilën e kishte parashtruar edhe te Organizata „Gazetarë pa kufij“, nuk pati sukses. Kështu, Muriqi e la vendlindjen dhe që nga muaji mars është mysafir i Fondacionit për të përndjekurit politkë nga Hamburgu. „Hamburgu është një qytet, tek i cili u dashurova që në ditët e para. Por, është e vërtetë se gjermanët janë disi të rezervuar“. Ai nuk e ka ndërmend të parashtrojë kërkesë për azil, pasi dëshiron të kthehet sa më parë në Kosovë dhe ta vazhdojë sërish punën te gazeta „Express“.
Rezerva e gjermanëve nuk është problem i vetëm i Visarit në Gjermani: Edhe këtu ai pranon kërcënime nga islamistët shqiptarë. Ai e shikon celularin e tij, e hapë Facebookun dhe përkthen: „Vallë a është kjo shprehja e mendimit të lirë? Të ofendohen ndjenjat religjioze? Edhe unë jetoj në Gjermani. Eja këtu o i pafe, po të më biesh në dorë, do të të vras“.
Visari pohon se shteti kosovar është i dobët dhe nuk është në gjendje të veprojë kundër islamistëve. „Korrupsioni, pa perspektivë, papunësi“. Për radikalizimin e islamistëve, ai i fajëson organizatat nga Gjiri: „Pas luftës së Kosovës, më 1999 erdhën shumë organizata nga Arabia Saudite. Në njërën dorë mbanin pak ushqime, në tjetrën literaturë vahabiste (salafiste). Askush nuk i kontrollon mijëra organizata joqeveritare në Kosovë. Ato bëjnë çfarë të duan“.