Fillon procesi gjyqësor ndaj pesë shqiptarëve që kontrabanduan 1,7 ton kokainë
13:24:05 2019-04-30
Pasi që dyshohet se kanë kontrabanduar të paktën 1.7 ton kokainë, në kuti bananesh në Gjermani, në Landshut janë duke u gjykuar pesë persona nga Shqipëria. Vlera e drogës së zbuluar: 400 milionë euro.
Sot, në Gjykatën rajonale në Landshut të Gjermanisë, ka filluar procesi gjyqësor ndaj pesë shqiptarëve, të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike. Pesë të pandehurit vijnë me gjithsej njëmbëdhjetë avokatë, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Shtegu.com. Brenda 13 ditëve të procesit gjyqësor do të zbulohet nëse shqiptarët ishin një bandë e organizuar e trafikimit të drogës. Ata dyshohet se kanë tregtuar me gjithsej 1.7 ton kokainë. Kjo sasi ka një vlerë tregu prej 400 milionë eurosh, kishte deklaruar policia gjermane pas zbulimit të drogës.
Prokuroria supozon se shqiptarët ishin pjesë e një bande. Sipas aktakuzës, thuhet se pakot e kokainës ata i kishin fshehur në kuti bananesh, të ardhura nga Ekuadori. Ato u transportuan nga deti në Hamburg dhe ishin të destinuara për supermarkete të ndryshme gjermane. Para se bananet të dalin në shitje, ata është dashur të transportohen në të ashtuquajturat „kampet e pjekurisë“. Atje zakonisht kalon pak kohë deri sa të zverdhen, informon Shtegu.com. Këtë mënyrë e kanë shfrytëzuar shqiptarët. Ata akuzohen se kanë thyer dhjetë depo të ndryshme në Gjermani, gjithsej dhjetë herë dhe kanë marrë kokainën nga kutitë. Në Holandë thuhet se kokainën e kanë shitur me fitim të madh.
Dymbëdhjetë shqiptarë ishin arrestuar në muajin maj të vitit të kaluar. Gjyqi në Landshut ka filluar të martën, ndaj pesë prej tyre. Ata akuzohen për veprime të bandës me narkotikë në sasi të mëdha. Një vendim gjyqësor pritet në fund të qershorit.