13:43:54 2017-12-02
Rrafsh 4.020 euro grumbulluar për familjen Beqiri nga Maqedonia. Prindërit me katër fëmijë do të dëbohen nga Gjermania, pasi kërkesa e tyre për azil iu është refuzuar.
„Me një shqetësim të madh, familja Beqiri i falënderon të gjithë donatorët për përkrahjen e jashtzakonshme financiare të cilën e ka pranuar, këtu në Lüdinghausen“. Kjo fjali qëndron në e-mailin të cilin përkujdesësja e familjes ua ka dërguar donatorëve gjermanë. „Jemi shumë të lumtur që nuk do të jetojmë më në një tendë, pasi ditëve në vijim do të dëbohemi nga Gjermania. Gjithmonë do t`i përkujtojmë me falënderim të madh njerëzit në Lüdinghausen“, ka pohuar nëna e katër fëmijëve të familjes.
4020 euro janë grumbulluar në konton e familjes nga Maqedonia, pasi e përditshmja gjermane „Westfälische Nachrichten“ e kishte publikuar historinë e familjes, më 26 tetor të këtij viti, përcjellë „Shtegu.com“.
Tash e katër vite, prindërit Mirsad dhe Zimbile Beqiri me katër fëmijët e tyre Fisnike (9), Ekuran (12), Sara (7) dhe Aziz (14) janë duke jetuar në Lüdinghausen. Kërkesa e tyre për azil iu është refuzuar, ndërsa me ndihmën e përkujdesesve të familjes Angeline dhe Daniela Bons, janë përmbushur edhe të gjitha formalitetet juridike. Familja nga Maqedonia ende gjendet në Lüdinghausen, në pritje të terminit për tu larguar nga Gjermania.
Me të hollat e grumbulluara, familja do ta riparojë shtëpinë në Maqedoni, e cila gjendet në kufi me Shqipërinë dhe është e përbërë nga dy dhoma, një sallon dhe bodrum. Tualeti gjendet jashtë shtëpisë, ndërsa mungon banjoja.
Edhe disa mësues të fëmijëve kanë dhuruar shuma të majme parashë, ndërsa fëmijët kanë vijuar mësimin e rregullt në shkollën fillore. (Shtegu.com)

