Familja është dashur të shikojë se si treni e godet djalin e tyre
Shqiptari 20-vjeçar nga Kosova, L. N . u godit nga një tren në Cyrih-Oerlikon dhe humbi jetën. Babai është dashur të shikojë gjithçka dhe nga dhimbja e madhe, edhe ai vdes pesë ditë pas djalit të tij.
Familja N. dëshironte të kalonte një ditë të bukur së bashku, më 21 shtator. Nëna, babai dhe djali po ecnin së bashku në afërsi të qendrës së azilit në Cyrih-Oerlikon, e cila ndodhet në afërsi të binarëve të trenit, shkruan “20 Minuten”, përcjell Shtegu.com.
Siç thotë një anëtar i familjes, djaloshi 20-vjeçar L. N., i cili vuante nga autizmi dhe epilepsia, u fut në binarë për arsye të panjohura. Një tren goditi të riun – nëna, motra, vëllai, babai dhe disa azilkërkues të tjerë, është dashur të jenë dëshmitarë të aksidentit.
Vetëm pesë ditë më vonë, babai dhe veterani i luftës H. N. vdiq nga një goditje në tru. Në një postim ngushëllimi në Facebook shkruan: „Me pikëllim të madh, duam t’I informojmë familjarët dhe miqtë se më 21 shtator, L. ynë i dashur e humbi jetën në një aksident. Babai i tij vdiq për shkak të dëshpërimit për djalin e tij”. Babai dhe djali do të varrosen të mërkurën në ora 15.00 në fshatin e tyre Dobidol, në Komunën Rahovec në Kosovë.
Për kthimin e dy personave të vdekur, komuniteti shqiptar është duke tubuar të holla, ndërsa deri më tani janë grumbulluar rreth dhjetë mijë franga zvicerane, shkruan më tej “20 Minuten”, duke u bazuar në deklaratën e hoxhës Shaban Azizi. Për transportimin e tyre do të duheshin tetë mijë franga, ndërsa paratë e mbetura do të përdoren për të transportuar të afërmit.
Imami Shaban Azizi është kujdesur për të afërmit që nga aksidenti i L. N. „Ata ndjehen shumë keq, janë të traumtaizuar”. Për të ka qenë shumë e vështirë të pranonte faktin se kanë humbur jetën dy persona, anëtarë të një familje. Për më tepër, disa të afërm në Zvicër janë azilkërkues dhe për këtë arsye, ata nuk mund të udhëtojnë në Kosovë për varrim.
Organizata e Azilit në Cyrih (AOZ), e cila është përgjegjëse për qendrën e azilit, shpreh keqardhje të thellë për këtë vdekje tragjike dhe dëshiron t`i shprehë ngushëllimet e saja familjes së prekur.
Edhe Hekurudhat zvicerane (SBB) kanë shprehur keqardhje për aksidentin e rëndë, duke premtuar se do të përmirësojë infrastrukturën në linjat hekurudhore, megjithëse nuk është e mundur të sigurohet një rrjet hekurudhor I gjatë më shumë se 3000 kilometra dhe rreth 800 stacione.