14:29:59 2016-02-18
Jonas Hähle humbi jetën gjatë një aksidenti në gara. Duke iu falënderuar organeve të tij, pesë persona të tjerë kanë shpëtuar jetët e tyre.
22 gusht 2015 ishte një ditë zie për sportin gjerman. Në Oschersleben të Gjermanisë ka qenë duke u mbajtur gara me motoçikleta, ndërsa 15-vjeçari Jonas Hähle ishte rradhitur me motoçikletën e tij KTM (38 PS, 170 km/h) në startin e garave në kupën për juniorë. Pak pas startit, Jonasi paritmas është dashur të frenojë, pasi motoçikleta e vozitësit para tij kishte pësuar një defekt.
Jonasi rrëzohet dhe para syve të prindërve dhe vëllait të tij, shkelet dhe shtypet nga shumë konkurrentë. Gjatë kësaj, Jonasi vdes dhe më 4 shtator varroset në një arkivol të bardhë. Disa javë pas ditës më të zezë në jetën e tyre, prindërit e Jonasit pranojnë një letër nga Fondacioni gjerman për transplantimin e organeve. Gjatë leximit të saj, ata nuk mund t`i ndalin lotët që rrokullisen në fytyrat e tyre. Në letër shkruhet se pesë persona kanë pranuar organet e fëmijës së tyre. Një 52-vjeçar kishte pranuar një veshkë të Jonasit, një 35-vjeçar tjetër pankreasin, një 60-vjeçar mëlqinë, ndërsa një 64-vjeçar mushkëritë.
Gjithashtu, edhe zemra e tij e cila i takonte sportit me motoçikleta, është duke rrahur edhe më tej, në gjoksin e një vajze 12-vjeçare. Nëna e ndjeu dhimbjen e thellë pasi lexoi letrën: „Përse nuk mundi t`i ndihmojë askush Jonasit tim? Përse Jonasi nuk pati një shans të dytë?“, pyeste vetveten. Babai Bertram: „Nuk e kishin vështirë t`i dhuronim organet. Kur Jonasi ishte në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, ishim duke shikuar një emision për dhurimin e organeve. Atëherë e pyeta: Si do të veproje po që se ndodhesh në këtë situatë? Jonasi më tha: Do t`i dhuroja organet. Të paktën më mbeti diçka nga ai. Për këtë, pas vdekjes së tij, ne vendosëm sipas amanetit të tij. Natyrisht se ishte një vendim shumë emocional për ne“, ka deklaruar babai për „Blick“, njofton „Shtegu.com“.
Tashmë, duke i falënderuar organeve të Jonasit, pesë persona jetojnë edhe më tej. Vallë, a ndihmon kjo në vuajtjen e familjes? „Kam ndjenjnë se një pjesë e tij ende është duke jetuar në tokë dhe kjo na i lehtëson pak dhimjet. Por, jemi të vetëdijshëm se Jonasi ynë nuk do të kthehet më asnjëherë“, pohon Bertrami.
Pranuesit e organeve, ai nuk i njeh personalisht. „Shpresojmë se ata ndjehen mirë. Kemi informata se te askush nuk ka pasur efekte negative“.
Vuajtjet për familjen janë duke vazhduar edhe më tej. „Një javë pas vdekjes së tij, më shkoi mendja se gjithçka ishte vetëm një ëndërr e keqe. Sikur për një kohë të shkurtër e lëshoi dhomën e tij dhe është duke zbritur sërish shkallëve. Por, mrekullia mungoi. Për çdo ditë ne e vizitojmë varrin e tij dhe jemi të vetëdijshëm se ai nuk do të kthet më asnjëherë. Para së gjithash, e kishim shumë rëndë gjatë festave të fundvitit“.
Adriani, vëllai 17-vjeçar i Jonasit, gjithashtu është tifoz i flaktë i motoçikletave. Ai drejton motoçikletën e tij dhe këtij sporti do t`i mbetet besnik. „Jam duke vozitur edhe për vëllain tim“, pohon ai. Starti i sezonit është nga fillimi i muajit maj. Babai e ka akceptuar dëshirën e tij dhe e mbështetë ate, pasi edhe më tej mendon se sporti me motoçikleta është më i sigurt se komunikacioni rrugor.

