Edhe shqiptarët presin më shumë se një vit për një termin për vizë pune në Gjermani
11:26:18 2019-03-16
Mënyra për të punuar në Gjermani, është shpesh jashtëzakonisht e lodhshme për punëtorët nga Ballkani Perëndimor. Siç bëhet e qartë nga një përgjigje e Qeverisë Federale nga një kërkesë e Fraksionit të majtë gjerman, në posedim të Agjencisë telegrafike gjermane, personat nga Serbia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia Veriore, mesatarisht duhet të presin më shumë se një vit për të aplikuar për një vizë pune sipas „Rregullave për Ballkanin Perëndimor“, njofton Shtegu.com. Arsyeja për kohët e gjata të pritjes është stërngarkesa e ambasadave. Zyra e Jashtme Federale ka dërguar staf shtesë. Por kërkesat janë aq të mëdha, saqë kjo nuk mjafton.
Gjatë krizës së refugjatëve, në fund të vitit 2015, Gjermania kishte krijuar një rregull të kufizuar e të veçantë, deri në fund të 2020, i cili gjithashtu edhe kërkuesve me kualifikim të ulët të punës nga këto vende, u ofron mundësinë e një vize. Parakusht është që ata të mund të provojnë një punë të përshtatshme për paga përkatëse në një kompani gjermane. Qëllimi i skemës ishte për të parandaluar personat nga Ballkani Perëndimor për kërkesa të pabazuara për azil. Agjencia gjermane federale e punësimit (BA) në vitin 2018, e ka parë të nevojshëm miratimin e aplikimit të vizave në rreth 46.000 raste. Megjithatë, sipas skemës speciale për punë janë lëshuar vetëm rreth 21,000 viza, informon Shtegu.com.
Zëdhënësja e brendshme politike e Fraksionit të majtë në Bundestag, Ulla Jelpke, vonesat e gjata i ka quajtur të „egra“. Ajo tha: „Në këtë mënyrë, as punëkërkuesit as sipërmarrësit nuk mund të planifikojnë seriozisht“.
Nuk ka plane për zgjerimin e „Rregullave për Ballkanin Perëndimor“. Sipas Qeverisë federale, përmes kontrolleve tek punëdhënësit, BA konstatoi se në vitin 2018, në 17 për qind të rasteve nuk është realizuar punësim. Në 1250 nga më shumë se 17 000 raste të ekzaminuara, janë paguar rroga më të ulëta ose orët e punës dhe aktivitetet kanë qenë të ndryshme nga ato që parashihen me ligj.