Eco Guerilla: Arifi uzurpatore, Qeveria t’ia marrë kompetencat
Shoqata ekologjike “Eco Guerilla” ka akuzuar sot se në Tetovë çdo ditë uzurpohen hapësirat e gjelbra publike, ndërsa pushteti lokal nuk reagon aspak për parandalimin e kësaj gjendje. Përveç kësaj ekologjistët kanë akuzuar kryetaren e Komunës së Tetovës se ka dështuar në shumë sfera dhe premtime që janë të rëndësishme për ambientin dhe jetën e qytetarëve si kaosi në trafik, mungesa e pastërtisë publike, grumbuj mbeturinash në shumë pjesë të qytetit, mungesa e ujit të pijshëm për shumë lagje, mungesa e transportit publik, mungesa e vendparkimeve ose garazheve në kate.
Arianit Xhaferi, Eco Guerilla
“Në anën tjetër inspektoratet përkatëse bashkë me policinë e trafikut kanë dështuar tërësisht për të vendosur rendin dhe ligjin, parandalimin e ndotjes së e ajrit, ujit dhe tokës si dhe çlirimin e hapësirave publike që po uzurpohen para syve tona. Tetovës përditë e më shumë i zvogëlohen edhe ato pak hapësira të gjelbërta që kanë mbetur. Shembulli i fundit, siç mund ta shihni edhe në video është shkatërrimi dhe uzurupimi i hapësirave publike të gjelbërta në qendër të qytetit, përgjatë rrugës Boris Kidriç. Deri sa parqet dhe hapësirat që janë pronë e të gjithë qytetarëve po betonohen, Komuna hesht dhe nuk ndërmerr asgjë për të parandaluar”
Nga Eco Guerilla thanë se Qyteti i Tetovës aktualisht ndihet sikur shtëpi pa të zot sepse Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi edhe në mandatin e dytë të saj ka dështuar t’i përgjigjet nevojave. Andaj Arianit Xhaferi i kërkoi publikisht kryeministrit Zoran Zaev që t’i merr kompetencat Arifit, ndërsa prokurorisë i kërkoi që të fillojë hetime.
Arianit Xhaferi, Eco Guerilla
“Duke patur parasysh faktin që gjatë fushatës parazgjedhore në vitin 2017, Ju nga pozita e Kryeministrit i dhatë përkrahje të hapur dhe i kërkuat qytetarëve votën për Teuta Arifin, po kërkojmë nga JU që të të ndërmerrni të gjitha masat e duhura për t’i hequr Komunës së Tetovës ingerencat mbi aktivitetet ku e njëjta ka dështuar tërësisht të menaxhojë. Prokuroria publike duhet të hetojë të gjitha rastet për keqpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare”
Lëvizja Eco Guerilla vlerëson që për këto dështime edhe kryeministri Zaev duhet të mbajë përgjegjësi dhe të ndërhyjë që gjendja sa më parë t’i kthehet normalitetit bashkë me shtetin e së drejtës edhe në Tetovë. /Shenja