Doktor Dermani (The Healer)

134 Lexime

18:13:56              2018-03-23

 

 

Doktor Dermani (The Healer) – via Neta
Published @ Active Aging Magazine

Po laj enët kur, befas, kuptoj se dora e djathtë s’më dhemb më. E rrotulloj kyçin si të ma dojë puna, por, për çudi, dhimbja më ka lënë shëndenë. Uaaaaaa? 
U bënë 3 muaj që kur shkova për herë të parë tek ortopedi. Ai mendoi se kisha artrit. Fillova qetësues, por më zuri dhimbja e stomakut nga ilaçet. U konsultova me një ortoped tjetër që ra në një mendje me kolegun e vet, por më dërgoi të bëja një sërë analizash përpara se të vendoste për trajtimin. Në pritje të rezultateve, më shkoi mendja tek doktor Apostoli, apo Toli, siç e njohim ne, sarandjotët e vjetër. E mbaja mend qysh nga fëmijëria, por nuk e kishte sjellë rasti ta njihja nga afër. Pata dëgjuar se u qe gjendur shumë hallexhinjve, kisha lexuar mbi punën e tij si mjek i dhimbjes, e kisha ndjekur në përpjekjet për të zgjidhur kuadratizimin e rrethit, dhe ja, dhimbja që më zgjonte natën, u bë sebep që të takohemi sërish. Shtrirë në krevatin e pacientit, në vend që të përqëndrohesha në ndijimin fizik, truri im gërricej se si vallë do të ma shëronte dorën me gishta, symbyllazi, shtyp këtu e shtyp atje, trokit në qafë e trokit në krah, “merr frymë thellë, mbaje një grimë, lëshoje lehtë” – doktori sikur luante me një instrument të padukshëm muzikor. Kur mbaruam më tha se kockat ishin për bukuri, fajin nuk e kishte artriti por stresi, ky mysafir i paftuar që është ulur këmbëkryq në jetët tona moderne. 
Pas 19 vjetësh emigrimi në Amerikë, stresi m’i kishte kthyer muskujt në inde inertë që nuk kryenin më funksionin e tyre. Kisha vite që nuk e ndjeja kënaqesinë e frymëmarrjes së thellë – muskujt e sternumit nuk arrinin ta hapnin plotësisht kafazin e kraharorit dhe mushkëritë s’e furnizonin dot gjakun me oksigjen të mjaftueshëm. Për pasojë, problemet më të zakonshme të ditës shndërroheshin në ankth. “Të është bërë trupi me xhumba, por pas 20 seancash do bëhesh qiqër fare, bile do të dobësohesh! I shikon këto palat këtu? S’janë as dhjamë e as muskuj, por edema, lëng ndërqelizor që nuk qarkullon. Do ta detyroj të lëvizë e të dalë, ti do vish në formë, indet e stresuara do të shkokolepsen e organet do nisin të funksionojnë rehat.” Të gjitha këto m’u dukën gjepura, por, nga halli, rashë dakort për seancën e dytë. Kështu, si pacientja e orës 8 të mëngjesit, fillova ta njoh Tolin. Ndërsa punonte me xhumbat e mia, binte telefoni – pacientë të vjetër e të rinj kërkonin orare dhe doktori nuk kthente njeri. Zura të qëndroja më gjatë, shikoja se ç’bënte me të tjerët, dhe, kur dilte për pushim, unë gërmoja pacientët. Sa më shumë pyesja, aq më shumë kuptoja – çelësi qe besimi për ta lënë veten tërësisht në duart e tij, pa arrogancën e të diturit. Besimi m’u rrit kur pashë që kolegët, mjekë në Spitalin e Traumës, sillnin pacientët e pashpresë tek doktor Dermani (siç e pagëzuam me Edlirën, pacienten e orës 9.) Ai e thotë troç kur nuk je për të – një ditë kolegu i solli një pacient me shtyllën kurrizore aq të shprishur, saqë nuk kish perëndi t’i bënte derman. 
Po bëhesha gati të dilja, kur trokiti dera dhe hyri një e moshuar. Sa hapi gojën, ia plasi të qarit me dënesë. E tronditur, renda t’i heq shallin e pallton, e ndihmova të shtrihej, dhe e qetësova duke i ledhatuar flokët e supet. “Shita televizor e bizhuteri, s’lashë doktor pa parë, e ja ku jam, më dhëmb gjithë trupi. Dita e dytë sot, nuk e njoh doktorin, por ma kapi syri në fejsbuk dhe m’u duk se bën punë me shpirt.” Unë me mëndje e quajta “zonja trandafili” – bluza rozë përbënte një dekor të zbehtë në krahasim me fytyrën që i ishte ndezur shafran. Doktori e përfshiu si foshnjë në gji, dënesat rreshtën, gishtat nisën lundrimin, ai ktheu kokën e më tha: “Frika nga vetmia i është kthyer në stres e ky i mallkuar ia ka rrënuar trupin.” 
Dhjetëra pacientë më treguan se si jeta u qe bërë ferr përpara se t’i merrte përsipër doktori. Isha aty kur Vilma, ekonomistja e re, erdhi për herë të parë nxitur nga Elda, pacientja e orës 10. Dëshpërimi në fytyrën e zbehtë ia kish mpakur tiparet e bukura. Dikur sportiste ambicioze, dhimbjet e forta e detyruan të braktiste punën. Ditë pas dite pashë se si buzëqeshja ia çeli sytë dhe shpresa ia gjallëroi hapin. 
Ndërkaq, mua më dolën fjalët e doktorit: të gjitha analizat në normë – kusuri i 350 eurove që shkuan kot! Tani më ka rrëmbyer entusiazmi e s’pushoj së foluri për të, projektet e mia i mori lumi, mendja më punon si e si ta ndihmoj që të ndihmojë të sëmurët – sidomos gratë. I shoh tek hyjne e dalin në klinikën e tij: nëna e bashkëshorte të stërmunduara që jeta i mësoi vetëm të shërbejnë e të harrojnë veten e tyre. 
Shpesh në klinikë vijnë studentët e tij, Zamiri dhe Enea, që mësojnë zanatin nga mjeshtri. Dritat fiken vonë, pak para orës 11. Çdo ditë e re është mundësi për të zhdukur dhimbjen e rikthyer jetën. Misionar i vërtetë, sa të ketë frymë, ai do të japë atë që ka në shpirt: profesionin fisnik që, për 33 vjet si mjek anestezist e reanimator, e qëmtoi pacient pas pacienti, dhe e përsosi më tej me specializimet disa-vjeçare në klinikat për trajtimin e dhimbjes në Greqi (Spitali “Theagenio”në Selanik), Austri (Spitali në Innsbruck), Turqi (Universiteti i Stambollit), dhe Amerikë (Qendra “Spectrum Health”, Grand Rapid, Michigan). Më 2003, gjatë Simpoziumit për Dhimbjen në Gjenevë, pati fatin të njihej me personalitetin e shquar të Dhimbjes, Sir Michael Bond, i cili e inkurajoi t’i përkushtohej trajtimit të dhimbjes. Më 2004 krijoi Qendrën e Dhimbjes si një qendër me shumë disiplina të përbërë nga ortopedë, neurologë, endokrinologë, psikiatër, onkologë, gjinekologë, nefrologë, kirurgë, radiologë. Mbështetur nga donatorë, qendra ofronte shërbime falas për të sëmurët, veçanërisht të moshuarit, të cilët, pasi përmirësoheshin, ngjallnin interes në komunitetin e tyre. «Kuptuam se jo vetëm duhet t’u lehtësonim dhimbjet kronike, që me kohë u ishin kthyer në vuajtje, por u duhej ofruar mbështetja sociale, besimi se mund të integroheshin në jetën e familjes dhe të komunitetit në mënyrë më aktive, pavarësisht nga mosha” thotë doktori. Bashkëautor i shumë artikujve shkencorë mbi dhimbjen në botime prestigjioze, është ftuar të ndajë eksperiencën e tij në seminaret, konferencat dhe kongreset në Kosovë, Francë, Çeki, Greqi, Bruksel, Luksemburg, SHBA, Austri, Turqi, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Portugali, Gjermani, Danimarke, Itali. 
Doktor Apostol Vaso është pasuri kombëtare – I jam shumë mirënjohëse dhe ndjehem me fat që dhimbja më bëri të rrugëtoj me të.

Shkruar nga Aneta Mihali Xhiku