Djaloshi Kushtrim Alili nga Shkupi, një ambasador që do t’i thyej stereotipet e vjetruara gjinore

Date:

Para 13 vitesh, Kushtrim Alili erdhi në Austri dhe nisi nga zero. Ai ndoqi rrugën e tij të vështirë dhe angazhohet fuqishëm kundër modeleve të vjetra, toksike të maskulinitetit. Portreti i një feministi të jashtëzakonshëm

Në moshën njëmbëdhjetëvjeçare, Kushtrim Alili erdhi në Austri. Për gjashtë vite me radhë, familja e tij parashtroi kërkesë për azil – një periudhë e vështirë. “Ajo u shënua nga shumë ndryshime vendbanimi dhe shkollash. Ishte jashtëzakonisht e vështirë të mësoja gjermanisht, të krijoja miqësi të qëndrueshme dhe të gjeja një vend ku të ndjehesha i pranuar.” Kur u bë e sigurt që familjes nga Maqedonia e Veriut do t’i lejohej të qëndronte, ata u vendosën në Graz.

Kushtrimi për gazetën „Kronen Zeitung“ thekson: “Në Austri fillova nga asgjëja. Pa para, pa rrjet njerëzish, pa gjuhë. Duhej t’i punoja vetë të gjitha. Nuk jam ankuar kurrë dhe nuk jam dorëzuar. E dija se nëse punon shumë dhe beson në atë që bën, do t’ia dalësh”. Tani, i riu nga Grazi dëshiron t’ua tregojë këtë edhe të rinjve të tjerë: “Pavarësisht nga vini, ju mund t’i realizoni ëndrrat tuaja”.

Një emigrant shembull kundër shtypjes në emër të nderit

Që në shkollë, ai u angazhua në këshillin e nxënësve, madje edhe në nivel të landit. Aktualisht, 24-vjeçari është në semestrin e tretë të studimeve “Puna Sociale” në FH Joanneum dhe së fundmi është bërë pjesë e ekipit kryesues të Unionit Studentor në FH Joanneum (ÖH).

Kushtrimi konsiderohet “emigrant shembullor”. Ai angazhohet vullnetarisht si ambasador në Fondin e Integrimit. Projekti i tij “Safe Space” u vlerësua në vitin 2024. Veçanërisht i rëndësishëm për të është projekti “Heroes Steiermark”. Me sloganin “Kundër shtypjes në emër të nderit”, realizohen punëtori në shkolla për tema si rolet gjinore dhe barazia. Ai është shumë aktiv edhe në rrjete sociale si Instagram dhe TikTok, dhe ka pasur gjithashtu paraqitje në televizione.

“Përfytyrime të gabuara për nderin dhe maskulinitetin”

“E kam kuptuar herët se sa shumë përfytyrimet e gabuara për nderin dhe maskulinitetin kufizojnë si gratë, ashtu edhe burrat. Vajzave dhe grave u thuhet si duhet të sillen që të mos i sjellin turp familjes. Djemve u mësohet se duhet të jenë të fortë, të mos tregojnë ndjenja dhe të jenë përgjegjës për motrat e tyre. Ky presion u bën dëm të gjithëve”, rrëfen Kushtrimi.

Një pjesë e madhe e punës së tij drejtohet tek të rinjtë meshkuj me prejardhje migratore, “sepse edhe unë vij nga ky ambient dhe e di sa të forta janë këto tema”. Por mesazhet janë për të gjithë të rinjtë që duan të jetojnë një model pozitiv të burrërisë, transmeton portali Shtegu. Kushtrimi e konsideron vetveten feminist dhe beson fort se sidomos burrat mund të përfitojnë nga thyerja e modeleve tradicionale të roleve. Ata duhet të munden të shprehin ndjenjat pa u konsideruar të dobët.

“Integrimi nuk është rrugë njëkahëshe”

Sipas Kushtrimit, për një integrim më të mirë nevojitet më shumë punë parandaluese dhe projekte të mbështetura financiarisht (ndonëse aktualisht qeveria e krahinës po shkurton pikërisht në këtë fushë). Por edhe vetë migrantët duhet të hapen dhe të japin më të mirën: “Integrimi nuk është rrugë njëkahëshe!”

 

Shpërndaj:

REKLAMOHU KËTU

1 Javë: 50€

1 Muaj: 150€

DËRGO EMAIL KONTAKT NË WHATSAPP

Më të lexuara

Lajme të ngjajshme
Related

OPINION | Kimete Berisha: Mes „vijave të trupit“ dhe filtrave që fshehin mendimin

Nga: Redaksia e Gazetës Kimete Berisha, dikur e njohur për...

Prindërit e viktimave kërkojnë përballje: „Jessica Moretti, na shiko në sy!“

SION, ZVICËR – Një atmosferë e rëndë dhe plot...

SHKUP, 12 Shkurt 2026 – Maqedonia e Veriut po...