Deputeti i PDSH-së: Duhet Menduh Thaçi të takohet me Ali Ahmetin, që të vijnë në shprehje “intelektualët?

245 Lexime

Deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu ka shkruar një shkrim i cili titullohet, „Duhet Menduh Thaci të takohet me Ali Ahmetin, që të vijnë në shprehje “intelektualët “?

E për atë se çfarë shkruan realisht Fejzullahu i PDSH-së, Almakos ju sjell të plotë më poshtë:

DUHET  MENDUH THACI TË TAKOHET ME ALI AHMETIN, QË TË VIJNË NË SHPREHJE “INTELEKTUALËT “ ?

“…nuk na pëlqejnë të lehurat me porosi…”

Fan S.Noli

Shoqëria shqiptare në Maqedoni  si rrallë herë  ka arritur në një pikë ku së paku shumica e tyre pajtohen se janë në një situatë shumë të vështirë si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomiko-social. Mbi të gjitha shqiptarët ndjehen tërësisht të nënshtruar dhe të frustruar. Këtë konstatim rrallë kush e konteston, por krijohet  një  virtualitet, krijohen “zhurmues” të ndryshëm  mediatik që duhet bërë  shpërndarjen e  këtij faji në të cilën gjenden sot  shqiptarët.

”Mamiat” antishqiptare qofshin ato shqipfolëse apo në gjuhë tjetër, në pamundësi që ti arsyetojnë dështimet, dëmet dhe pse jo rolin antikombëtar të BDI-së, marrin para vetes një misioni të vështirë, që “bashkëfajtore” për këtë gjendje duhet të jetë edhe Partia Demokratike Shqiptare! Kjo i ngjan shumë një thënie të shkrimtarit I.Kadare kur thotë “…fajin e ka  edhe viktima sepse shumë e ka lodhur xhelatin …”!

Tentimi i demisionimit të opozitës shqiptare kur pjesa që është në pozitë është skajshmërisht e instrumentalizuar, është njësojë me tentimin e vrasjes së shpresës së një kombi. Me këtë veprim ata bëjnë thirrje – hajde burra e gra të nënshtrohemi të gjithë, se të nënshtruar do të jemi shumë më të lumtur!

Kjo tufë e instrumentalizuar, me të madhe trumbeton se Partia Demokratike Shqiptare nuk fiton dhe se lidershipi i saj është fajtor për këtë. Të vetëdijshëm se me këtë tentojnë të fshijnë mbamendjen tonë kolektive, ata prapë insistojnë në këtë.

Fundja, në zgjedhjet e fundit BDI arriti të grumbullon mbi 150.000 vota! – Dhe kjo  nuk është fare objekt për analizë. Si dhe pse?

Nuk është objekt analize, pse shitet vota për 500 den, pse vidhet vota, pse nënshtrohemi para kërcënimeve se do të na nxjerrin nga puna nëse votojmë ndryshe, pse votojmë ndryshe sepse do të punësohemi, pse disa mediume e mercenarë të ndryshëm mediatik aq egërsisht vihen në shërbim të së keqes, e shumë e shumë „pse-jave“ tjera. Për këto fenomene nuk ka debat, nuk ka analiza që do të mundësonte evitimin e  këtyre  deformimeve të shoqërisë shqiptare në Maqedoni.

Çfarë duhet bërë sipas këtyre?

Shumë e thjeshtë!

Partia Demokratike Shqiptare dhe lidershipi i saj  duhet ta ulë kokën, të shmanget nga kursi i saj kombëtar dhe të pajtohet me realitetin e hidhur ashtu si janë pajtuar (kuptohet me përjashtime):

– profesorët dhe studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës se gjendja në këtë Universitet është shumë mirë;

– arsimtarët dhe arsimtaret shqiptare së gjendja në arsim është shumë mirë;

-mjekët, motrat medicinale dhe pacientët shqiptar se gjendja  në spitalet, në vendbanime shqiptare është shumë  mirë;

-biznesmenët   e pakët shqiptarë se gjendja është shumë mirë;

– Akademikët shqiptar se gjendja është shumë mirë;

-shoqatat joqeveritare, si ”Zgjohu“ etj se nuk kemi probleme;

-administratorët  dhe nëpunësit  shqiptarë që durojnë përbuzje dhe nënçmim   çdo ditë;

Këtyre të këqijave jo që nuk u dalin para por, kërkojnë nga PDSH-ja që edhe ajo të dorëzohet!

Ky është një realitet që nuk mund të mohohet, por duhet mjegulluar aq më tepër sa të krijohet perceptimi se nuk ka zgjidhje dhe duhet të rrini urtë!

Erdhi lajmi i shumëpritur se kryetari  PDSH-së z.Menduh Thaci është takuar me kryetarin e BDI-së z.Ali Ahmetin!

Festë e madhe!

Shpëtuam të gjithë, nuk ka më fërkime të gjithë do të nënshtrohemi, të gjithë do të përbuzemi dhe përfundimisht të gjithë do të jemi të lumtur! Por, kujdes shqiptar, do të zgjohen “intelektualët”!

-Mungon sqarimi mos janë ato nga Kina apo Koreja se këto “intelektualët” shqiptarë (me përjashtime) nuk kanë kohë dhe nuk merren me „politikë“ kur bëhet fjalë për interesa kombëtare!

Zhgënjim i madh!

Takim të tillë nuk ka pasur dhe as që do të ketë, përderisa z.Ali Ahmeti është në këto pozicione aty ku është!

Pse gjithë ky ankth nga figura politike e Menduh Thaçit ? – Nuk ka faj Menduhi  se ju jeni rastësisht bashkëhonikë të këtij dhe përballë kësaj figure politike dalin  në pah prapësitë, devijimet dhe tradhtitë e juaja  ndaj bashkëkombësve  tuaj.

Menduh Thaçi dhe PDSH-ja e ka të qartë se të angazhohesh për çështjen shqiptare nuk është sfilatë mode për burra me  frizura e  burra të shminkuar, por është një proces i vështirë që donë mjaft përkushtim.

PDSH-ja dhe kryetari saj, doni apo nuk doni, pajtoheni apo nuk pajtoheni – rrezaton shpresë dhe krenari por të njëjtën kohë frikë dhe ankth për të gjithë ata që janë kundër që shqiptarët të kenë mirëqenie, dinjitet dhe shpresë për një të ardhme më të ndritur.

Për në fund Ismail Kadareja thotë”…besimi te vetja e një kombi bëhet  armë e fuqishme për lirinë e tij…”.